TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në Tiranë u mbajt sot në 17 qershor një konferencë për rezultatet në procesin e vettingut në drejtësi në vend.
Kreu i KPA-së Sokol Çomo deklaroi se vettingu ishte një proces i vështirë, por i domosdoshëm për Shqipërinë.
Çomo u shpreh se procesi mbyll tranzicionin e drejtësisë në vend. “Ishte një përvojë e vështirë, dhe e dhimbshme. Ishte etapë që nuk ishte e lehtë për vendin tonë. Por kjo etapë ishte e nevojshme. Ne krijuam kushtet që sistemi i drejtësisë të funksionojë mbi themele më të forta. Sot po shënohet mbyllja e kapitullit të tranzicionit. Shqipëria po futet në shinat e duhura të demokracisë funksionale. Sfida jonë e përbashkët është që përjashtimi të mbetet përjashtim e normaliteti të jetë garancia se do ketë drejtësi për qytetarët.
Dua të falënderoj të gjithë ata që dhanë kontribut në procesin e vettingut. Një mirënjohje e veçantë i takon partnerëve tanë ndërkombëtarë, sepse ka qenë një partneritet i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta. Një falënderim i shkon edhe ONM-së. Qëllimi ka qenë i përbashkët: forcimi i drejtësisë shqiptare”, tha Çomo.
Më tej, foli kryetari i parlamentit Niko Peleshi. Tha se me vettingun ndryshimi ka ndodhur. Ai shtoi se vettingu ndihmon procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Me vettingun, ndryshimi në drejtësinë shqiptare ka ndodhur. Vettingu ndihmon integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky ishte një proces, që ishte i nevojshëm për vendin tonë. Ne kemi sot trashëgiminë e kësaj reforme. Ne duhet të mbrojmë atë që kemi arritur.
Ishte një reformë epokale. Shqipëria sot është më afër se kurrë në rrugën drejt BE-së. Shqipëria e 2026 padyshim që nuk është ajo që ishte më 2016. Përgjegjësia e Kuvendit mbetet historike. Reforma në drejtësi ishte zgjedhje për të pasur institucione më të forta”, u shpreh Peleshi.
Ndërsa, zv kryeministrja Albana Koçiu theksoi se me vettingun, drejtësia është bërë më e besueshme.
“E zgjodhëm një rrugë jo të lehtë. E zgjodhëm këtë rrugë jo për të ndryshuar një emër me një tjetër, por për të vendosur parimin se toga nuk është mburojë dhe askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Procesi ka qenë i vështirë, ka sjellë vonesa dhe debate të forta publike e ka pasur kosto reale. Por kosto e mosveprimit do ishte më e madhe.
Sistemi i drejtësisë ka ndryshuar. Shqipëria ka një arkitekturë të re kushtetuese. Në emër të qeverisë shqiptare shpreh mirënjohje për të gjithë ata që mbajtën mbi supe këtë proces. Qëlimi ishte një drejtësi e pavarur që nuk merr parasysh se kush është individi që gjykohet. Duhet ta ruajmë standardin e ri të drejtësisë. Reforma në drejtësi është gur themeli për integrimin e Shqipërisë në BE”, u shpreh Koçiu.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato tha se vettingu ishte një proces historik. Nënvizoi se standardet që u arritën, duhet që të jenë të qëndrueshme.
“Procesi i vettingut ka qenë një proces historik. Dua të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë vlerësim, punë e cila nuk ishte e lehtë. Kolegji luajti rol tepër të madh në pasjen e sigurisë në të gjitha fazat e vettingut. Dua të falënderoj edhe OMN-në, që luajti rol të rëndësishëm gjithashtu. Arritjet duhet të jenë të qëndrueshme në kohë. Standardet që janë vendosur duhet të mbeten ende.
Kjo do të thotë që kontrolli i pasurisë dhe verifikimi i figurës së gjyqtarëve të vijohet të shikohen me kujdes. ILD vazhdon që të hetojë sjelljet e papërshtatshme, sa herë që nuk respektohen rregullat. Edhe Shkolla e Magjistraturës ka një rol tepër të madh në kultivimin e vlerave të etikës. Këto vlera duhet të bëhen pjesë e kulturës profesionale të gjyqtarëve. Vetëm perms reformave, Shqipëria do të afrohet me Bashkimin Europian”, përmbylli Gonzato.