AKTUALITET, 25 Mars 2025, 10:00

"Procesi po zvarritet"/ Shtyhet sërish seanca për masakrën e Gërdecit, shkak vizita e Mediut në SHBA! Durda: Pres drejtësi prej 17 vitesh

"Procesi po zvarritet"/ Shtyhet sërish seanca për

Shtyhet për në datë 7 prill seanca gjyqësore në ngarkim të ish-ministrit Fatmir Mediu për masakrën e Gërdecit. Shkak u bë mungesa e tij i cili kishte një ftesë në Kongresin Amerikan nga data 24 mars deri në datën 1 prill.

Sipas avokatit Henrik Ligori, Mediu duhet të jetë vetë i pranishëm për të paraqitur komentet mbi akt ekspertimin tekniko ushtarak.

Ndërkohë, avokati i familjarëve Dorian Matlia kërkoi që pretendimet të paraqiten njëherë me shkrim për ekonomi gjyqësore.

Prokurori Klodian Braho e quajti të pajustifikuar mungesën e Fatmir Mediut dhe kërkoi të vazhdonte seanca në prani të mbrojtësit të tij ligjor, gjë që u kundërshtua nga ky i fundit.

Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të shtyjë seancën duke i tërhequr vëmendjen Mediut, që mungesa të kësaj natyre nuk do të konsiderohen më në seancat e ardhshme.

Në seancë ishte e pranishme edhe Zamira Durda e cila tha që ka 17 vjet që pret drejtësi dhe procesi po zvarritet.