AKTUALITET, 20 Dhjetor 2024, 11:06

Prishtinë/ Rama mbërrin në Kuvendin e Kosovës, pritet nisja e seancës së përbashkët

Prishtinë/ Rama mbërrin në Kuvendin e Kosovës, pritet nisja

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të nisë mbledhja e përbashkët e parlamenteve të dy vendeve.

Shqipëria dhe Kosova mbledhin sot dy Kuvendet në Prishtinë. 130 deputetë, përfshirë edhe dy kryeministrat Edi Rama e Albin Kurti, do të mblidhen në Kuvendin e Kosovës në orën 11:00.

Objekt i kësaj seance do të jetë për koordinimi i axhendës kombëtare për realizimin e objektivave strategjike. Më konkretisht, bëhet fjalë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, integrimi euroatlantik i Kosovës, mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve dhe rritja e kontributit të faktorit shqiptar në zhvillimin, demokratizimi, paqja e siguria në rajon.

I pari që mban fjalën, do të jetë kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, të cilin e pason kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, për të vazhduar më tej me krerët e grupeve parlamentare të dy vendeve. Të fundit që do të flasin do të jenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe më pas ai i Kosovës, Albin Kurti.

Media ka publikuar edhe listën e 56 deputetëve pjesëmarrës nga Shqipëria. Në listën e Partisë Demokratike dallohet se mungon kryetari Sali Berisha, por edhe Lulzim Basha që tashmë i ka ndarë rrugët me partinë që drejtoi më parë.

Kjo është hera e dytë që Shqipëria dhe Kosova organizojnë një mbledhje të përbashkët të dy Kuvendeve. Për herë të parë dy Kuvendet zhvilluan takim më 27 nëntor 2022, me rastin e 110-Vjetorit të pavarësisë.