TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qindra punonjës të News24 dhe mediave të tjera të Irfan Hysenbelliut, rrezikojnë të mbeten pa punë, pas konfliktit mes pronarit dhe shtetit lidhur me kontratat e qirave për objektet ku këto media zhvillojnë aktivitetin.
Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar Arlind Qori, kreu i "Lëvizja Bashkë", i cili solidarizohet me punonjësit, të vetmit që e pësojnë kur pronarëve u prishen pazaret me qeverinë.
Reagimi i plotë:
SOLIDARITET ME GAZETARËT DHE PUNONJËSIT E NEWS24
Të jesh gazetar sot në Shqipëri është gjithnjë e më e vështirë. Censura e “vetëkuptueshme” nis me bizneset e pronarit dhe ortakëve të tij. (Rasti ekzemplar Frangaj-Mane.)
Mbi të ngrihet censura për hir të interesave të reklamuesve të televizionit. (Shembulli i ditëve të fundit: pagimi i heshtjes nga Bankers Petroleum-i).
Me ndërthurjen gjithnjë e më të imët të interesave të pronarit dhe qeverisë, censura merr trajtën e një linjës editoriale proqeveritare. (Pjesa më e madhe e televizioneve).
Për shkak se struktura ekonomike e mediave është e paqëndrueshme, rëndom gazetarëve u vonojnë rrogën, derisa pronari të kapë ndonjë tender, koncesion a leje ndërtimi.
Ka raste kur pronarit (Hysenbelliu) i prishen pazaret me Edi Ramën. Linja editoriale bëhet më kritike ndaj qeverisë, ndonëse elementët e tjerë të censurës vazhdojnë. Pushteti hakmerret ndaj ish-ortakut të vet, pa e vrarë mendjen se të njëjtat privilegje që sot po ia heq atij vazhdon t’ua njohë e forcojë ortakëve të tjerë.
Papritmas gazetari e gjen veten në rrugë. Pa punë, pa siguri dhe pa vlerësim për punën e kryer në kushte thuajse të pamundura.