AKTUALITET, 5 Dhjetor 2022, 09:34

Primaret e PD-së, tërheqje nga gara dhe akuza për listat

Primaret e PD-së, tërheqje nga gara dhe akuza për listat
Procesi u numërimit në primaret e Tiranës

Primaret e djeshme në PD ishin një proces që u shoqëruan edhe me incidente dhe parregullsi, sipas denoncimeve të pjesëmarrësve në garë, të cilët, në shenjë proteste u tërhoqën duke i cilësuar këto zgjedhje si të padrejta dhe të pabarabarta. Në 9 bashki gara mungoi për shkak se në fletën e votimit kishte një kandidat, jo vetëm se nuk kishte rival përballë, por edhe për shkak të tërheqjeve në minutën e fundit.

Përveç largimeve nga gara, pas nisjes së procesit të votimit, në 4 bashki ishin vendosur që në fillim vetëm një kandidat, në Shkodër Bardh Spahia, në Elbasan Luciano Boçi, në Kukës Admir Sinamati dhe në  Poliçan Behar Xhaferaj.

Problemi me listat e anëtarëve dhe simpatizantëve të cilët votuan për herë të parë bllokuan për disa orë procesin në Lezhë, ndërkohë në Tropojë kandidatja Feride Rrahmanaj pretendoi se 600 anëtarë ishin zhdukur nga lista dhe për këtë arsye hoqi dorë sot nga gara. Ngërçi me listat u pranua edhe nga Sali Berisha.

“Nuk mund të them se çdo gjë është e përsosur, por këto probleme nuk errësojnë primaret”, tha Berisha.

Rasti më flagrant u shënua në degën e PD-së në Kuçovë ku kryetari Myslim Haxhiu dhe kandidatja Brikena Koroveshi dhanë dorëheqjen, pas akuzave se bashkia iu fal kandidatit të Ilir Metës, Lefter Maliqi. Krahas Kuçovës, Partia e Lirisë synon Memaliajn, Skraparin, Përrenjasin dhe Kamzën.

Orientimi i votës u denoncua edhe në Berat nga kandidati Sazan Guri. Në Malësinë e Madhe primaret e Berishës u refuzuan dhe nuk u ngrit asnjë qendër votimi, ndërkohë në bashkitë minoritare Himarë, Finiq, Dropull zgjedhjet munguan pasi PBDNJ e Vangjel Dules kërkon mbajë 3 bashkitë, ndërsa minoriteti maqedonas synon Pustecin.

Kamëz

Një tjetër akuzë ka ardhur nga vetë kandidatët që kanë marrë pjesë në procesin e primareve që ka organizuar PD e Berishës. Këtë radhë akuza ka ardhur nga kandidati i primareve të Kamzës Asllan Dogjani. Ai ka treguar se votimi për bashkinë e Kamzës ka pasur një numër të madh parregullsish.

“Është një proces ku është vjedhur vota brenda Partisë Demokratike. Kjo është e turpshme që të vidhet mes njëri-tjetrit, nuk kam çfarë them më shumë”, u shpreh Dogjani.

Arjan Hoxha do të jetë kandidati i PD për bashkinë e Kamzës, në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Kurbin

Lindita Selala Toma denoncoi ato që ajo i quajti manipulime me primaret e Kurbinit. Sipas saj 318 votat do të ishin shumëfishuar në qoftë se do të përfshiheshin simpatizantët demokratë të vërtetë të qytetit të Laçit të cilët u lanë jashtë listave për të favorizuar njërin nga kandidatët. Ajo u shpreh se këto pisllëqe filluan nga lart duke ndryshuar listën e anëtarësisë 2 herë dhe listën e simpatizantëve duke ua dhënë vetëm 8 orë para nisjes së procesit të votimit.

Në listën e anëtarsisë, tha kandidatja, kishte probleme të theksuara duke lënë jashtë demokratë, duke i zëvëndësuar me njerëz që nuk kanë lidhje me Partinë Demokratike. Në lista po ashtu ishin të përfshirë dhe të majtë që nuk kanë votuar kurrë PD-në.

“Ka patur anëtar ku kanë votuar 2 apo 3 herë në 3 qendra votimesh të ndryshme. Shihje simpatizantë anonimë duke votuar dhe nga ana tjetër shihje demokratë me teserë partie që nga viti 1991 duke thënë që pse më kanë fshirë nga listat e Partisë Demokratike.  Kisha tepër besim se me votën e lirë të anëtarëve do votonin lirisht për kandidatin që do donin të drejtonte Bashkinë Kurbin, por fatkeqësisht ndodhi e kundërta”- u shpreh kandidatja Lindita Selala Toma.

Tropojë

Pas tërheqjes së një prej kandidatëve në Tropojë, Feride Rrahmana, demokratët akuzuan se ishin bërë manipulime me listat.

Astrit Rexhaj, anëtar i PD-së Tropojë prej 31 vitesh tha se Rrahmana, kandidatja më e fortë për bashkinë u tërhoq pasi iu hoqën nga lista mbi 600 votues.

“Mua më vjen shumë keq ku e kanë katandisur këtë parti dhe fajet për këtë gjendje i ka deputeti Isuf Çelaj dhe kryetari i Partisë Demokratike kandidat për Bashkinë e Tropojës”-tha Rexhaj për tpz.al.

Sarandë

Kandidati i primareve të PD-së për bashkinë e Sarandës, Armando Magllara, është larguar zyrtarisht nga kjo forcë politike. Ai ka hedhur akuza të rëndë për procesin e primareve, ku thekson se pavarësisht se ka marrë garanci nga drejtuesit e PD-së si Sali Berisha apo Flamur Noka, diçka e tillë nuk ka ndodhur. Madje ai ka hedhur akuza të tjera ku thekson se gjysma e PD Sarandë janë të dënuar me burg.

Berat

Edhe profesor Sazan Guri, është rebeluar me primaret. Ai kandidonte në Primare për bashkinë e Beratit ka arritur që të marrë vetëm 32 vota. Fitues u shpall Zija Ismaili me 527 vota.

Guri ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas shpalljes së rezultatit, duke akuzuar për manipulim të rezultatit.

“Nuk vura vezhgues sic me kerkuan se nuk e kuptoja dot te vidhesh vota brenda llojit. As nuk ndenjta deri ne fund, se kur delnin pas votimit me thoshin ‘profesor i madh’ dhe te shketet i tradhtonte fytyra, zeri, mbi te gjitha syte qe i hiqnin shpejt nga shikimi dhe pashe c’pashe ika nga mesdita. duke mos iu dhene doren atyre qe nuk e meritonin dhe pas disa oresh me thane rezultatin: Unë, nga 610 persona qe votuan prej 2400 antareve te PD qe ishin shtuar me 500 simpatizant te kandidatit me porosi deri ne 2900 votues, fitova 30 kalores, ose trima qe s’pyeten per presion, ose luftetare qe vrane friken. vetem ne nje qytet. Mos harroni se nuk ishin as 30 rilindasit tane me dy milion banore ne 1870-1912 ne gjithe trevat ne shqiptare”-shkroi Guri.

Shkodër

Pjesëmarrje e ulët në primaret e Shkodrës. Për të votuar kandidatin e vetëm për kryetar bashkie, Bardh Spahinë, dolën të votojnë vetëm 743 persona, ndërkohë që në listën e PD-së ishin regjistruar 4 mijë zgjedhës, pra anëtarë të opozitës.

Kuçova

Lefter Maliqi ka reaguar pas mbylljes së numërimit të procesit të primareve. Maliqi ishte i vetëm në garën për bashkinë e Kuçovës, pasi kandidatja Brikena Koroveshi u tërhoq nga gara pas akuzave për manipulime. Maliqi shkruan se më 14 maj fitorja është e sigurt për bashkinë e Kuçovës, ndërsa thotë se të gjitha premtimet e tij do kthehen në realitet.

“Mirënjohje 352 demokratëve dhe opozitarëve për votën në Primare. Nga këto 339 pro,6 kundra,7 të pavlefshme. Mirënjohje dy liderëve Meta-Berisha për besimin. Së bashku me punë të palodhur drejt fitores së sigurt në 14 Maj të Bashkisë Kuçovë. Çdo premtim do të kthehet në vepër, me ndryshime të menjëhershme në infrastrukturë, imazh, arsim, kulture, shëndetësi, sport, bujqësi, punësime, etj ne Kuçovën e naftëtarëve, aviatorëve dhe intelektualëve. Bashkia do jetë e hapur dhe e qytetarëve jo e Kryetarit”, shkroi Maliqi.