AKTUALITET, 8 Maj 2023, 15:01

"Po falimentojmë nga rënia e euros", pas letrës, Sejko dhe Ibrahimaj takojnë eksportuesit: Tregu valutor funksionon normalisht. Përdorni kontratat e së ardhmes!

"Po falimentojmë nga rënia e euros", pas letrës, Sejko

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti sot në takim përfaqësues të shoqatave të bizneseve eksportuese, për të diskutuar mbi shqetësimet e ngritura nga ata lidhur me forcimin e kursit të këmbimit të lekut ndaj monedhës euro.

Vetëm pak ditë më parë 7 shoqata të eksportuesve në Shqipëri shprehen të shqetësuar për rënin e monedhës euro në raport me monedhën vendase. Në një letër dërguar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe Ministres së Financave, shoqatat kërkuan ndërhyrjen e menjëhershmepër të rregulluar këtë situatë pasi sipas tyre zhvlerësimi i monedhës euro ka çuar shumë subjekte drejt falimentimit.

Në këtë takimin e sotëm mori pjesë gjithashtu dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, së bashku me përfaqësues të tjerë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) si dhe drejtues nga Banka e Shqipërisë (BSH).

Guvernatori Sejko theksoi se, Shqipëria prej shumë vitesh ndjek një regjim të lirë kursi këmbimi. Në zbatim të këtij regjimi, Banka e Shqipërisë nuk targeton një nivel të caktuar të kursit të këmbimit, e megjithatë i kushton një vëmendje të veçantë ecurisë së tij.

Për sa i përket trendit forcues të monedhës vendase, sipas analizave të kryera, Banka e Shqipërisë gjykon se, ky pasqyron përmirësimet strukturore të ekonomisë dhe të tregjeve financiare shqiptare, të shfaqura këto në forcimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe në rritjen e besimit të publikut në monedhën kombëtare.

Gjithashtu Guvernatori shtoi se, tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative çka sugjeron se forcimi i kursit të këmbimit të lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar.

Forcimi i kursit të këmbimit ka ndihmuar qëndrueshmërinë e bilanceve financiare të kredimarrësve në valutë, duke pasur një efekt direkt pozitiv në nivelin e kredive me probleme dhe në stabilitetin financiar të vendit.

Gjithashtu, ky forcim nuk ka cenuar rritjen e eksporteve shqiptare përkundrazi, ai ka ndihmuar në kontrollin e inflacionit në vend, i cili ka qenë dhe mbetet më i ulëti në rajon, duke ndihmuar në ruajtjen e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare.

Si rrjedhojë, Shqipëria pati një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon gjatë vitit 2022.

Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet në vazhdimësi e angazhuar të krijojë një ambient monetar e financiar sa më të sigurt, të qëndrueshëm dhe transparent, në interes të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë.

Banka e Shqipërisë i ftoi eksportuesit të jenë vazhdimisht të kujdesshëm në strategjitë dhe planet e tyre të biznesit, si dhe të bashkëpunojnë sa më ngushtë me industrinë financiare, e cila ofron instrumentet e duhura për t’u mbrojtur ndaj këtyre rreziqeve.

“Sektori ynë bankar ofron prej kohësh instrumentin e kontratave të së ardhmes, të cilat ofrojnë mbrojtje ndaj lëvizjeve të forta dhe të padëshirueshëm të kursit të kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme për t’ju ndihmuar me trajnime dhe ekspertizë për përdorimin e këtyre instrumenteve”, u shpreh Guvernatori.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve eksportuese u shprehën se kërkesat e tyre iu janë adresuar të dy institucioneve për të vlerësuar mundësitë e bashkëpunimit dhe ndihmesës në kushtet e krijuara për këtë grup interesi. Ndërkohë vetë këto industri kanë filluar të marrin masa për të zvogëluar impaktin që ka nënçmimi i monedhës euro në ecurinë e biznesit të tyre.

Në vijim u dakordësua për zhvillimin e një takimi të përbashkët me këto shoqata dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave për të vlerësuar situatën dhe për të parë mundësitë e mbështetjes së mëtejshme.