AKTUALITET, 7 Qershor 2023, 11:12

"Plas" në PD-në e vulës, japin dorëheqjen edhe dy anëtarë të kryesisë, sharje dhe kërcënime ndaj "rebelëve"

"Plas" në PD-në e vulës, japin dorëheqjen edhe dy
Deputetët e grupit të PD-së

Pas nënkryetares së PD-së, Jorida Tabaku, kanë dhënë dorëheqjen edhe dy anëtarë të tjerë të kryesisë.

Deputetët Flamur Hoxha dhe Ori Nebiaj kanë dhënë dorëheqjen sot si anëtarë të kryesisë.

Kryesia e PD-së pas 8 orësh debate të tensionuara mori dje një vendim për hapjen e garës për kryetar dhe mbajtjen e zgjedhjeve në 29 korrik.

Mbledhja nisi rreth orës 18:00 të së martës dhe u mbyll rreth orës 02:30 të së mërkurës, ku anëtarët e kryesisë u ndanë në dy grupe.

Në fund  te mbledhjes 17 nga 28 anëtarë të kryesisë votuan propozimin për mbajtjen e zgjedhjeve në 29 korrik.

Gjatë votimit të djeshëm Flamur Hoxha votoi kundër hapjes së menjëhershme të garës për kryetar të PD-së, ndërsa Nebiaj abstenoi.

Gjatë mbledhjes maratonë ka patur debate të forta, sulme e kërcënime ndaj deputetëve demokratë.

Balkanweb raportoi se gjatë gjithë kohës së mbledhjes ka pasur diskutime dhe qëndrime të ashpra. Bardhi, Tabaku dhe deputetë të tjerë kërkonin kohë për organizimi ne zgjedhjeve për kryetarin e PD-së, por shumica e të pranishmëve, jodeputetë vendosën që zgjedhjet të bëhen menjëherë dhe të jetë 29 korriku dita kur PD të procedojë me zgjedhjen e kryetarit. Jashtë selisë së PD-së zyrtare ishin mbledhur një numër i pacaktuar personash që nuk kishin lidhje me kryesinë e PD, por mbështetës të Lulzim Bashës.
Nga ky grup janë hedhur ofendime ndaj deputetëve Bardhi dhe Korreshi.

Të njëjtin fat kanë pasur dhe deputetë të tjerë, si Helidon Bushati, Bledjon Nallbati apo Lefter Gështenja, të cilët kanë dalë më pas dhe janë kërcënuar.
Këta persona që u larguan nga mbledhja u panë si persona jashtë linjës së asaj që u vendos në mbledhje dhe që nuk votuan për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Ndërkohë që jashtë ambienteve të kryesisë, mbështetësit e Bashës iu kanë kërkuar llogari deputetëve “rebelë”, duke iu thënë “t’ju vijë turp”, “po na torturoni”, apo kërcënime të tipit “nëse shkoni te Berisha do ta keni pisk punën”.

Lëvizja e Tabakut ishte e papritur, duke qenë se edhe në intervistat e saj nuk ka lënë të kuptohej se do të jepte dorëheqjen. Por e gjitha kjo u bë në momentin kur Kryesia mori vendim që të shkonte në zgjedhje për kryetar të PD dhe kjo u pa si një lëvizje për t’i hapur rrugën Lulzim Bashës të rikthehej në krye të PD.
Sulme verbale u bënë edhe ndaj medias.