AKTUALITET, 8 Dhjetor 2025, 10:16

Pista e re/ Vrasja i biznesmenit, në hetim edhe “Kiço”, nipi i personazhit të njohur si “Timi i Elbasanit”! Konflikti mes tyre për 700 mijë euro

Pista e re/ Vrasja i biznesmenit, në hetim edhe “Kiço”,

Policia e Elbasanit ka zbuluar detaje të reja mbi konfliktin që dyshohet se ka shërbyer si motiv kryesor për vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka, ngjarje e ndodhur më 30 nëntor.

Sipas burimeve të Policisë së Shtetit, 'Panorama' informon se në qendër të hetimeve ndodhet 35-vjeçari Oklid El Ouejdi, i njohur në Elbasan me nofkat “Kiço” dhe “Oliver”, si dhe i identifikuar nga komuniteti lokal si nip i personazhit të njohur “Timi i Elbasanit”.

Ai është larguar nga pika kufitare e Qafë-Thanës drejt Maqedonisë së Veriut dhe aktualisht konsiderohet person kyç në dosjen hetimore.

Vendndodhja e tij nuk është e konfirmuar, megjithëse dyshohet se mund të ndodhet pikërisht në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku ka lidhje të shumta, përfshirë edhe me Sheval Muharremin, të njohur si “Bosi i Gërçecit”.

Hetuesit po verifikojnë gjithashtu aktivitetin e biznesit “SOLEIL”, një kompani import–eksporti dhe tregtimi automjetesh, e regjistruar në emër të El Ouejdit në Elbasan që prej vitit 2018. Pikërisht marrëdhëniet tregtare të lidhura përmes kësaj veprimtarie dyshohet se janë kthyer në burimin e konfliktit me Mëhallën.

Sipas të dhënave paraprake, rreth 10 ditë para vrasjes, në ambientet e karburantit “Xhaxhi Oil” ka ndodhur një përplasje fizike midis dy biznesmenëve.

Konflikti mësohet se lidhej me një marrëveshje tregtare prej rreth 700 mijë eurosh, e cila nuk ishte finalizuar. Burime të rezervuara pohojnë se Mëhalla ishte i revoltuar dhe se përplasja fizike ka ndodhur në prani të një personi që shoqëronte El Ouejdin.

Deri tani janë arrestuar tre persona Nevzat Nevi Spaho dyshohet si shoferi që ndihmoi autorin të largohej Kujtim Pisha punonjës karburanti për mosparaqitje të informacionit dhe Xhino Ago, ortak i Mëhallës i akuzuar për mosndryshimin e pronësisë së makinës së përdorur në krim. Në kërkim mbeten Armando Kola nga Laçi dhe Marselo Arani nga Elbasani, i cili kishte thyer masën e arrest shtëpie për pastrim parash. Figura kyçe mbetet edhe Naldi Gjini i cili ka identifikuar disa prej të dyshuarve dhe ka ndihmuar hetimet.

Autoritetet e konsiderojnë El Ouejdin personin kyç në hetim me qëndrim të dyshuar në Maqedoninë e Veriut dhe lidhje të shumta në rajon përfshirë edhe me Sheval Muharremin i njohur si Bosi i Gërçecit. Hetimet tregojnë se konflikti financiar dhe tensionet personale e çuan situatën në atentat. Policia po vijon përpjekjet për kapjen e Ouejdit dhe dy të kërkuarve të tjerë ndërsa hetimet pritet të sjellin zhvillime të rëndësishme në ditët e ardhshme.