TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Fatos Daci, një emër i njohur i kulturës, historisë dhe publicistikës dibrane e shqiptare, është ndarë nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të madhe.
Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur familja e gazetarit, e cila njofton se homazhet do të zhvillohen më 8 dhjetor 2025, në Pallatin e Kulturës në Peshkopi, nga ora 09:00 deri në 11:00, ndërsa varrimi do të bëhet në lagjen Dacallarë të Sllovës, Dibër, në orën 13:00.
Pritja mortore para varrimit do të mbahet në Tiranë, më 7 dhjetor, në Shtëpinë Funerale “Ija”, në Rrugën “Kujtim Laro”, nga ora 14:00 e në vijim, dhe një pritje tjetër do të zhvillohet edhe më 9 dhjetor, prej orës 08:00. Për të gjithë të afërmit dhe miqtë që duan të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit, familja vë në dispozicion edhe një automjet për udhëtimin drejt Peshkopisë.
I lindur në Dacallarë të Sllovës, Fatos Daci ia kushtoi jetën dijes, shkrimit dhe dokumentimit të kujtesës historike shqiptare. Në mbi pesë dekada krijimtarie, ai botoi më shumë se 60 vepra historiko-enciklopedike me mbi 15 mijë faqe, të shoqëruara me mijëra fotografi, portrete e dokumente të rralla, duke dokumentuar figura, ngjarje dhe tradita që sot përbëjnë një pasuri të çmuar kombëtare.
Daci ishte anëtar i përhershëm i Akademisë Amerikano-Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe kryetar i disa shoqatave kulturore e atdhetare. Si gazetar dhe publicist, ai themeloi dhe drejtoi disa media, ndër to gazetën “Dibra”, ku shërbeu për dekada si kryeredaktor dhe botues.
Ka botuar qindra artikuj, reportazhe e studime dhe ka realizuar 23 dokumentarë televizivë, duke u shquar si një prej figurave më prodhimtare të fushës së tij. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, ai është nderuar me tituj të shumtë, mes tyre “Mjeshtër i Madh”, si dhe është shpallur disa herë “Qytetar Nderi” nga Peshkopia, Dibra e Madhe dhe një sërë komunash të Dibrës.