AKTUALITET, 7 Prill 2026, 21:48

Përjashtimi nga Kuvendi i deputetëve të PD-së, reagon Bardhi: Akt armiqësor ndaj opozitës!

Përjashtimi nga Kuvendi i deputetëve të PD-së, reagon

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit për përjashtimin disajavor të deputetëve Flamur Noka dhe Elda Hoti nga punimet e Kuvendit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi e ka konsideruar këtë vendim si një akt armiqësor ndaj opozitës, që sipas tij nuk ka lidhje as me rregullore dhe as me etikën.

Sipas kreut të Grupit të PD-së, mazhoranca ka krijuar qëllimisht një klimë tensioni në seancën e 2 prillit, duke dëmtuar besueshmërinë dhe reputacionin e Parlamentit.

“Të gjithë janë dëshmitarë se, veçanërisht në seancën e 2 prillit, mazhoranca krijoi qëllimisht një klimë tensioni, që vetëm sa dëmton më tej besueshmërinë dhe reputacionin e parlamentit. Armiqësia ndaj opozitës nuk është rastësi. Është strategji politike”, thotë ai.

Ndër të tjera Bardhi akuzon shumicën se po refuzon kërkesat për komisione hetimore, interpelancat e kryeministrit dhe llogaridhënien e ministrave, duke synuar zhbërjen e rolit kryesor të opozitës.

Reagimi i Bardhit: 

Përjashtimi disajavor i deputetëve Flamur Noka dhe Elda Hoti nga punimet e Parlamentit është një vendim që nuk ka lidhje as me etikën, as me rregulloren. Është thjesht një akt armiqësor ndaj opozitës. Të gjithë janë dëshmitarë se, veçanërisht në seancën e 2 prillit, mazhoranca krijoi qëllimisht një klimë tensioni, që vetëm sa dëmton më tej besueshmërinë dhe reputacionin e parlamentit.

Armiqësia ndaj opozitës nuk është rastësi. Është strategji politike, që nuk fokusohet vetëm tek dy emra, por tek objektivi për ta bërë opozitën të heshtë. Në 6 muajt e fundit PS ka përjashtuar 15 deputetë të opozitës nga Kuvendi, me 295 ditë në total. Një jpraktikë që, haptazi, po ngushton çdo ditë hapësirën e opozitës në Kuvend

Mazhoranca nuk po përpiqet më as të duket sikur respekton rregullat. Ajo reflekton hapur qëndrimin armiqësor të kryeministrit kundër opozitës.

Përjashtimet e deputetëve, refuzimi i kërkesave për komisione hetimore, refuzimi i interpelancave nga kryeministri, zvarritja e llogaridhënies së ministrave dhe refuzimi i institucioneve për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të opozitës kanë vetëm një objektiv: të zhbëjnë rolin kryesor të opozitës: kontrollin e pushtetit.

Kur pushteti sundon përmes korrupsionit dhe në aleancë me krimin e organizuar, kur qeveria mbron të kërkuarit nga drejtësia, kur kryeministri shndërrohet në zëdhënës të tyre, opozita ka vetëm një rrugë: të qëndrojë.