AKTUALITET, 24 Tetor 2023, 11:00

Paketa e re ligjore/ Taulant Balla dërgon propozimet në Kuvend për sigurinë në shkolla

Paketa e re ligjore/ Taulant Balla dërgon propozimet në Kuvend

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se do të bëhen ndryshime në Kodin Penal për të forcuar me ligj Paketën e Sigurisë në Shkolla.

Përmes një shkrese, drejtuar ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, Taulant Balla ka propozuar shtimin e 11 neneve, që do të rrisnin më shumë sigurinë në institucionet arsimore, ku përfshihet pornografia, dhuna seksuale, apo pornografia dhe të tjera fenomene.

Me anë të një njoftimi në Facebook, ministri i Brendshëm shkruan se kryerja e një vepre penale në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij të parashikohet si rrethanë rënduese.

“Jam i bindur se këto ndryshime në Kodin Penal do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë, parandalimin e kriminalitetit dhe shmangien e rrezikut për jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve tanë në të gjitha ato mjedise brenda dhe përreth shkollave të frekuentuara prej tyre”, shkruan ministri Balla.

Postimi i plotë i Ballës

Do të forcojmë me ligj Paketën Sigurisë në Shkolla duke bërë të mundur ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor apo në perimetrin e sigurisë së tij. Kryerja e një vepre penale në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij të parashikohet si rrethanë rënduese, nëse në dëm të një të mituri, dhe, në çdo rast, si rrethanë cilësuese e figurës së veprave penale të mëposhtme:

·  Dhuna seksuale (neni 107/a);

· Pornografia (neni 117);

·  Trafikimi i të miturve (neni 128/b);

· Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit (neni 278);

· Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta (neni 279);

· Prodhimi dhe shitja e narkotikëve (neni 283);

· Përshtatja e lokalit për përdorim droge (neni 285/a);

·Hedhja ose braktisja e shiringave (neni 285/b);

· Nxitja për përdorimin e drogës (neni 286);

·Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt (neni 291).

Jam i bindur se këto ndryshime në Kodin Penal do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë, parandalimin e kriminalitetit dhe shmangien e rrezikut për jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve tanë në të gjitha ato mjedise brenda dhe përreth shkollave të frekuentuara prej tyre.