AKTUALITET, 8 Korrik 2023, 10:52

Nga shoqërimi në komisariat, te shpallja në kërkim! Si ndryshoi version policia për vëllezërit e deputetit të PS-së! Fisi Rraja dhunoi brutalisht Jashar dhe Bilbil Majën

Nga shoqërimi në komisariat, te shpallja në kërkim! Si

Ngjarja e rëndë e dhunës së ushtruar nga vëllezërit, Xhelal dhe Flamur Rraja dhe Rexhep Rraja djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja ka nxjerr dy versione të kundërta të punës së Policisë së Shtetit.

Në njoftimin e parë Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka shoqëruar në komisariat Xhelal Rrajën dhe Përparim Rrajën, pas dhunës barbare ndaj kushërinjve, Jashar dhe Bilbil Maja, të cilët ishin ankuar në polici për shpërthimet në guroren në pronësi të fisit Rraja.

Por ngjarja mori tjetër rrjedhë kur vetë pjesëtaret e fisit Rraja filmuan teksa shkonin si autokolonë dhe kanë goditur me shkopa bejsbolli kushërinjtë Jashar dhe Bilbil Maja.

Policia në deklaratën e parë tha se kishte shoqëruar në komisariat Xhelal Rrajën dhe Përparim Rrajën. Por pas publikimit të videos së dhunës dhe reagimeve të shumta, policia në një deklaratë tjetër ka njoftuar se ka shpallur në kërkim vëllezërit e deputetit të Partisë Socialiste, konkretisht Xhelal dhe Flamur Rrajën, raporton Panorama.

Nuk dihet pse Rrajat u lanë të lirë dhe pse policia doli me dy qëndrime të ndryshme.

NJOFTIMI I PLOTË- e Enjte:

Ditën e sotme, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë – Thumanë ka ndodhur një konflikt mes shtetasve B. M., e J. M., dhe shtetasve Xh. Rr., I. Rr., dhe K. Rr. Gjatë konfliktit shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., dyshohet se kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J. M., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licensë për zhvillimim e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë shoqëruar shtetasit Xh. Rr., dhe P. Rr., si dhe po punojnë për shoqërimin e shtetasve I. Rr., dhe K. Rr., të përfshirë në këtë konflikt.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë një informacion të plotë.

NJOFTIMI I PLOTË- e PREMTE:

Goditën në ambientet e një lokali 2 shtetas, shoqërohen në komisariat 8 autorët e dyshuar. Vihen në pranga 4 dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë. Gjatë operacionit për kapjen e këtyre shtetase u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe Reparti Special RENEA.

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në lidhje me një konflikt në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, ku shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J. M., shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja, dhe të Repartit Special RENEA, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë, shtetasit:

– I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, P. Rr., 65 vjeç, N. M., 35 vjeç, L. Rr., 54 vjeç, D. Rr., 31 vjeç. Në vijim të veprimeve hetimore u bë ndalimi i shtetasve I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Xh. Rr., 65 vjeç, F. Rr., 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç. Shtetasit e mësipërm, ditën e djeshme, rreth orës 11:00, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., dhe shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licensë për zhvillimin e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.