AKTUALITET, 22 Prill 2023, 17:37

Nga emigracioni te gjendja ekonomike dhe karriera, ulet numri i lindjeve në Elbasan

Nga emigracioni te gjendja ekonomike dhe karriera, ulet numri i lindjeve në

Ulet numri i lindjeve në Elbasan. Në bazë të disa raporteve të publikuara ditët e fundit  sa i takon numrit të lindshmërisë në vend duket se është ulur ndjeshëm. Shkak janë bërë emigracioni, planifikimi familjarë apo gjendja ekonomike.

Referuar të dhënave të INSTAT lindjet në 3-mujorin e tretë 2022 ishin 6.172 bebe në rang vendi, duke shënuar një rënie me 19,6%, krahasuar me tremujorin e tretë 2021. Çiftet e reja po zgjedhin që ta shtyjnë sa më shumë kohën për të sjellë në jetë një fëmijë. Sipas gjinekologes Albana Oga ka një sërë faktorësh që ndikojnë në uljen e lindshmërisë.

“Ka vite që ka filluar rënia e lindshmërisë dhe kjo vjen për shumë arsye, emigracioni ka ndikuar emigrimi i të rinjve jashtë ka bërë që të kemi një ulje të lindjeve, përveç kësaj është edhe faktorë të tjerë social është rritur mosha në të cilën fillojnë femrat apo çiftet të kenë një familje kjo qoftë për arsye ekonomike apo edhe karriere”, tha Oga.

Edhe planifikimi familjar duket se është bërë një nga arsyet pse lindjet e fëmijëve janë në rënie.

“Gjithashtu është planifikimi familjar, pra çiftet janë më të ndërgjegjshëm dhe më te informuar rreth metodave kontraceptive apo metodave të tjera të planifikimit familjar kjo është arsyeja e uljes së numrit krahas pastaj edhe patologjive që mund të çojnë edhe në fertilitet’, vijoi Oga për euronews. Për sa i përket infertilitetit duket se kemi një ndarje të barabartë mes meshkujve dhe femrave të cilët nuk kanë mundësi të krijojnë një familje. Të gjitha këto faktorë ndikojnë në uljen e numrit të lindshmërisë.