AKTUALITET, 22 Prill 2023, 17:21

“Strehim dhe për ata që s’kanë legalizime”, Balluku: Investimi në Unazën e Madhe, rrit vlerën e gjithë zonës

“Strehim dhe për ata që s’kanë legalizime”,

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektuan sot ecurinë e punimeve në lotin 5 të Unazës së Madhe të Tiranës.

Balluku tha se punimet në këtë lot po avancojnë çdo ditë.

“Kemi akoma për të bërë disa punë të rëndësishme me shpronësimin dhe akomodimin e banorëve të zonës. Ky është një nga lotët më të rëndësishëm, pasi është thellë në zemrën e Tiranës, e cila po zhvillohet. Nëse shikojmë përqark të gjitha punimet që ka bërë bashkia në infrastrukturë brenda qytetit apo edhe iniciativa private që ka pasur sektori i ndërtimit janë të rëndësishme”, theksoi Balluku.

Ministrja Balluku u shpreh se “kjo pjesë e unazës që do të lidhet me  të gjitha pjesët e përfunduara tashmë për të mbyllur Unazën e Madhe të Tiranës 28.8 km, të cilat i ofrojnë shërbim infrastrukturor jo vetëm kryeqytetit, por të gjitha autostradave që janë të lidhura me të, si ajo që shkon drejt jugut, apo drejt juglindjes që është ajo e Elbasanit apo edhe autostrada e Durrësit. Të gjitha lidhen me këtë arterie kaq të rëndësishme që është Unaza e Madhe e Tiranës”.

Duke folur për shpronësimet Balluku tha se “ato janë shumë të rëndësishme. Kemi pasur një shembull të mirë në lotët e tjera, pasi nuk është thjesht procedura e shpronësimit, por nga ana tjetër edhe ato banesa që nuk janë të legalizuara me masat qe kemi marrë ne i akomodojmë qytetarët. Kemi një akt rregullator  që akomodon edhe ato familje që nuk kanë arritur ta legalizojnë banesën e tyre”.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se “sa kaluam në Këshill Bashkiak 38 banesa të reja, kanë ndryshuar kontratën dhe ne menjëherë mbledhim këshillin për të kaluar bonusin. Në momentin që zbardhet menjëherë nga prefektura të 38 familjet që kanë nënshkruar kontratën lirojnë shtëpitë dhe ne vazhdojmë me hapjen e kantierit”.

Ndërkohë Balluku tha se investimet e bëra i kanë rritur ndjeshëm vlerën pronës në Tiranë.

“Ne vërtet e gjetëm Freskun të zhvilluar, vërtetë gjetëm Astirin, por si e gjetëm të zhvilluar. Ishin pallatet të ndërtuara pa pasur asnjë infrastrukturë bazike. As kanalizimet madje. Për të mos folur për hapësirat e përbashkëta, për rrugët lidhëse, për kopshte apo stolat, etj. Kështu që, me të vërtetë i kemi gjetur, por i kemi gjetur në ditën më të zezë dhe i kemi transformuar totalisht. Me ardhjen e infrastrukturës urbane, padyshim të gjitha këto zona kanë rritur vlerën e tyre disa herë”, përfundoi Balluku.

Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi totale prej 28.774 km. Ndërtimi i saj lehtëson trafikun dhe shkurton distancat, sidomos për mjetet që kalojnë tranzit në Tiranë, apo lëvizin nga periferia jashtë Tiranës. Kjo unazë do bëjë të mundur një shpërndarje të trafikut dhe do të krijojë mundësi të reja hyrjeje për në Tiranë.