AKTUALITET, 18 Shkurt 2022, 19:18

Në vend të një shkrimi për Bardhyl London...

Në vend të një shkrimi për Bardhyl London...
Bardhyl Londo

Një poet i njohur shqiptar, Bardhyl Londo, iku... 

Iku pa zhurmë, pa bujë, ashtu siç ikin njerëzit e mirë, të mençur, njerëzit me vlerë të kësaj bote. 

Në vend të një shkrimi për të, ne po botojmë një poezi të tij, të vitit të largët 1986, botuar në gazetën Zëri i Rinisë së asaj kohe. 

Lexojeni atë dhe le ta përcjellim të gjithë bashkë Bardhyl London! 

VDEKJA E VAJZËS SË NAIM FRASHËRIT

Bardhyl Londo

Poetit i vdiste vajza. Dhe s’ kish tjetër pasuri
veç detit të dashurisë për mëmëdhenë.
Në mbrëmjet e trëndafilta, vajzat e mehmurëve
për një katedrale në Paris ëndërronin, për një kopësht në Vjenë.

Poetit i vdiste vajza. Dhe s’kish për të ilaç,
një shtrat për të në spitale nuk kish.
Për një puçër në pulpë, vajzat e mehmurëve
niseshin në Vjenë, iknin në Paris.

Kthehej poeti nga mërgimi. Në doganë
një grusht shkronjash shqipe i ngrohnin gjirin.
Me bizhuteritë e Vjenës, me dantellat e Parisit
vajzat e mehmurëve kalonin kufirin.

Poetit i vdiste vajza. Me një abetare të thjeshtë
sa kishte filluar të çukiste abecenë.
Vajzat e mehmurëve me bursë niseshin
universiteteve në Paris, kolegjeve në Vjenë.

Poetit i vdiste vajza në një shtëpi të thjeshtë
mes varfërisë, mes katër mureve
Atdheu thinjej nga dhembja për të,
thinjej nga vakancat e vajzave të mehmurëve.

Zeri i Rinise, 20 tetor 1986