AKTUALITET, 10 Nëntor 2024, 22:20

Në Shqipëri, 23 sulme me eksploziv deri më sot për këtë vit

Në Shqipëri, 23 sulme me eksploziv deri më sot për

Këtë vit 23 sulme me eksploziv janë shënuar në Shqipëri, ku Shkodra mban vendin e parë me 12 të tilla.

Në disa prej këtyre rasteve, objektiva kanë qenë punonjës të rendit dhe të drejtësisë, si policë dhe gjyqtarë.

Kryeqyteti gjithashtu ka përjetuar ngjarje të ngjashme; në Tiranë janë regjistruar 5 shpërthime me eksploziv që kanë shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht pa viktima.

Nga të gjitha ngjarjet e regjistruara këtë vit, policia ka arritur të zbardhë vetëm dy raste, ndërsa për pjesën tjetër hetimet vazhdojnë dhe autorët mbeten në kërkim.

Një shpërthim i fundit ndodhi mëngjesin e kësaj të diele, kur një sasi tritoli u vendos në derën e banesës së një 52-vjeçari në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër.

Kjo është hera e dytë që ndaj tij kryhet një sulm i tillë.

Më 29 gusht, ai ishte bërë objektiv i një shpërthimi tjetër, kur një sasi eksplozivi u vendos në derën e agjencisë së tij funerale pranë Spitalit të Shkodrës, raportojnë mediat në Shqipëri.