AKTUALITET, 29 Gusht 2023, 21:22

“Në Athinë nuk ftohet, në Bled përçmohet”- Berisha: Rama iu drejtua BE-së me gjuhën e një njeriu të pacipë, dëshmi e shpërthimit të përroit të tij psiqik pro-rus

“Në Athinë nuk ftohet, në Bled

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se kryeministri Edi Rama gjatë kësaj jave ka treguar së kush është në të vërtetë, pasi sipas tij, ka hequr çdo ‘maskë’.

Komentet Berisha i bëri përmes një reagimi në Facebook, ku tha se Rama nuk u ftua në darkën në Athinë nga kryeministri Mitsotakis dhe se në Forumin e Bledit në Slloveni, u përçmua nga të pranishmit.

Sipas Berishës, kryeministri i neveriti të pranishmit në Slloveni me deklaratat e tij për skenarët e mundshëm të sulmeve në Ballkan.

Ai shtoi se Rama i lejoi vetes t’i drejtohet BE-së me gjuhën e një njeriu të pacipë, por në fakt edhe të tregojë mosrespekt e fyej si ordiner qindra mijëra martirë të kombit ukrainas.

Ai shtoi se “ky krahasim fyes e vulgar i Edi Ramës me të cilin më së paku barazoi agresorin me viktimën, është dëshmi e shpërthimit të përroit të tij psiqik pro-rus”.

Reagimi i Berishës:

Në Athinë nuk ftohet, në Bled përçmohet!

Të dashur miq, kjo ishte një javë që hoqi çdo maskë dhe tregoi se cili është Edi Rama i vërtetë.

Pak ditë më parë në takimin e rëndësishëm rajonal të organizuar në 20 vjetorin e Deklaratës së Selanikut, ku morën pjesë liderët e BE-së dhe ata rajonal, kryeministri Micotaqis nuk e ftoi Edi Ramën për shkak të qëndrimit despotik ndaj shtetit ligjor dhe shkelmimit të vlerave eurpiane në farsën elektorale të 14 maj 2023. Lajkatarët dhe mediat e tij u përpoqën t’i veshin ngjyra nacionaliste qëndrimit të Edi Ramës, mos lejimin nga ana e tij në kundërshtim me ligjin dhe precedentin të Fredi Belerit, fitues në Bashkinë e Himarës të bëj betimin. Lëpirësit e paguar të Ramës harruan se fshehja e interesave mafioze pas atyre nacionaliste u rikjuton njerëzve shprejen e Niçes se “Nacionalizmi është strofulla e fundi i horrave.”

Por pas Athinës, në Forumin e Bledit i plagosur rëndë Edi Rama neveriti dhe i ngjalli krupën audiencës kur deklaroi : “Kur Dritani (Abazoviç) po fliste, po e shikoja dhe po thoja me vete “kush” duhet të sulmojë “kë” në këtë panel për të marrë anëtarësimin më shpejt me Ukrainën. Dhe Bullgaria mund të sulmojë fare mirë Maqedoninë e Veriut, Kroacia mund të sulmojë fare mirë Serbinë, Serbia – Kosovën, Bosnja veten, pa asnjë problem. Ne nëse pyesnim grekët që të na bëjnë nderin dhe ata do na sulmojnë neve me shumë kënaqësi. Mali i Zi mund të luajë, të shullëhet në diell kështu që ne mund të jemi të gjithë gati për t’ju bashkuar trenit me Ukrainën”.

Me këtë deklaratë Edi Rama ngjalli krupën të pranishmëve në sallë dhe neveri tek të gjithë ata që e dëgjuan. Ai i lejoi vetes t’i drejtohet BE-së me gjuhën e një njeriu të pacipë, por në fakt edhe të tregojë mosrespekt e fyej si ordiner qindra mijëra martirë të kombit ukrainas që me gjakun, guximin, jetën e tyre në mbrojtje të lirisë sovranitetit të Ukrainës dhe mbarë vendeve të lira të Europës nga agresioni barbar rus firmosën për statusin e Ukrainës të vendit kandiat për BE.

Ky krahasim fyes e vulgar i Edi Ramës me të cilin më së paku barazoi agresorin me viktimën, është dëshmi e shpërthimit të përroit të tij psiqik pro-rus.

Nuk duhet harruar se  Edi Rama, argati i Vuçiçit deri dy muaj më parë ishte mbrojtësi me fanatik i Ballkanit të Hapur sebo-rus. Ai është i vetmi në rajon dhe Europë që ka mbrojtur haptas mosrespektimin nga Serbia të sanksioneve të BE dhe NATO-s ndaj Rusisë, po kështu ai refuzoi për më shumë se një vit kërkesën direkte të presidentit Zelenski për mos pranimin e turistëve rus në Shqipëri, të cilet pasi vrisnin në Ukrainë femijë, burra, gra të pafajshëm vinin dhe bronzoheshin e dëfreheshin në plazhet tona për të vazhduar të shplodhur barbarinë e tyre ndaj kombit të lirë ukrainas. Si përfundim miq, kjo javë mund të quhet java e zezë e Edi Ramës. #sb