TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Akademiku Artan Fuga ka publikuar sot një letër të hapur për deputetin Petro Koçi, në lidhje me nismën ligjore për ndryshimin e ligjit për Akademinë e Shkencave.
Fuga thekson se në projektligjin e propozuar ka dy momente që nuk i konsideron të drejta. E para është zhvleftësimi i kufizimit për kryetarin e Akademisë për të qenë në detyrë për vetëm një mandat dhe jo dy radhazi, dhe e dyta lidhet me moshën e këtij drejtuesi, ku kërkohet heqja e kufirit tavan të moshës prej 75 vitesh për zgjedhjen në këtë post.
Fuga ka theksuar se ndryshimet ligjore që kërkohen, cenojnë të drejtën për të kandiduar për këtë post, ai vetë dhe akademikë të tjerë.
Letra e plotë:
Po ju drejtohem me këtë letër publike meqë më rezulton se Ju, sikurse keni deklaruar publikisht edhe në mediat audiovizive të vendit, së bashku me deputetin Ismet Beqiraj, me anë të shkresës datë 09.01.2023, drejtuar Kryetares të Kuvendit të Shqipërisë, zonjës Lindita Nikolla, keni paraqitur për shqyrtim një projektligj që kërkon ndryshime në ligjin në fuqi për Akademinë e Shkencave me numër 53/2019.
Duke qenë qytetar i Republikës të Shqipërisë, pedagog dhe kërkues shkencor, pra aktor shoqëror i interesuar për çështjen, anëtar i Akademisë të Shkencave, si edhe i deklaruar si person që po shqyrton mundësinë për të kandiduar për vendin e punës “Kryetar i Akademisë së Shkencave”, marr legjitimitetin dhe të drejtën për t’u shprehur për këtë nismë ligjore që Ju keni ndërmarrë!
Zoti Petro,
unë jam i ndërgjegjshëm që Ju si deputet i keni të gjitha të drejtat për të ndërmarrë nismat ligjore që Ju konsideroni të drejta apo me interes. Nuk e vë në dyshim këtë të drejtë, përkundrazi e respektoj këtë. Por, sado e patjetërsueshme të jetë ajo, unë mendoj se ka disa kufizime dhe norma ligjore, proçeduriale si edhe etike brenda të cilave mund të ushtrohet. Nisur prej këtej, më lejoni t’ju them publikisht se nisma juaj në fjalë, veçanërisht në dy pika:
a. Kur kërkoni të zhvleftësoni kufizimin ligjor që e autorizon kryetarin e akademisë të shkencave për ta ushtruar vetëm dhe vetëm një mandat, jo dy, radhazi, detyrën e vet;
b) kur hiqni kufizimin ligjor që përtej 75 vjetëve nuk mund të jesh në atë detyrë;
pra kjo nismë e juaja përbën një propozim arbitrar, nuk respekton kriteret proceduriale të ligjbërjes, përfaqëson një ndërhyrje politike të rëndë në pavarësinë e institucionit, është një imponim me ose pa dashje nga ana e politikës mbi kërkimin shkencor në Shqipëri, dhe më specifikisht dëmton barazinë e shanseve në karrierë dhe në ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur brenda asaj akademie, si edhe barazinë e akademikëve në statusin e tyre. Ndërhyrja juaj në formën e një nisme ligjore të tillë cenon drejtpërdrejt edhe interesat e mia personale si kandidat i mundshëm për atë vend pune duke më privuar faktikisht nga të drejtat që më jep ligji që është sot në fuqi.
Po Ju drejtohem Juve personalisht dhe jo edhe deputetit Ismet Beqiraj sepse zotëria në fjalë, me gjithë respektin që kam për statusin e çdo deputeti, më ka dhënë në disa raste shembuj se me të e kam pasur të pamundur të mirëkuptohem, të përdor argumentet e mia, apo të dialogoj mbi bazën e arsyetimit jopolitik. Më kujtohet se katër vite më parë, në vitin 2019, në komisionin e edukimit dhe të medias në Kuvendin e Shqipërisë, ky zotëri ishte mbrojtësi më i flaktë i këtij ligji që është sot në fuqi dhe mendon ta ndryshojë. Përsëri ky deputet, kësaj radhe edhe me mbështetjen Tuaj, është përsëri iniciatori i parë, pa asnjë hezitim, pa asnjë sqarim publik për ndryshimin e pozicionit të tij lidhur me këtë çështje, për të propozuar të kundërtën e asaj që mbronte me pasion dhe bindje të plotë katër vite më parë!!!
Çfarë besueshmërie më mbetet kur deputeti sillet kështu?
Në këto kushte po Ju drejtohem vetëm Juve. Aq më shumë se si deputet në qarkun e Fierit mesa di, shpresoj të gjej mirëkuptim për t’u lexuar nga Ju, meqenëse edhe unë, sikurse ndoshta e dini, nuk jam i huaj, përkundrazi plot respekt, për vlerat progresiste dhe patriotike të asaj zone, të qytetit të Fierit veçanërisht.
Unë jam pothuajse i bindur që në programin Tuaj elektoral nuk keni zhvilluar përpara elektoratit që Ju ka zgjedhur idetë dhe bindjet Tuaja lidhur me Akademinë e Shkencave. Këtë nuk kam si e pretendoj.
Ajo që më çudit së tepërmi është si është e mundur që pa u a kërkuar ndokush zyrtarisht, Akademia e Shkencave veçanërisht, akademikët jo se jo, Ju ka lindur ideja për ta ndryshuar ligjin ekzistues në pikat e mësipërme.
Kryetari i Akademisë së Shkencave deklaron zyrtarisht, në përgjigje të pyetjes të akademikut Apollon Baçe nëse ai personalisht ose kryesia e akademisë të shkencave kishte paraqitur, propozuar apo kërkuar zyrtarisht ose në rrugë tjetër nga Ju dy deputetët iniciues të ndryshimit të ligjit në fuqi për ta ndërmarrë këtë nismë, se për këto dy pika nuk ka asnjë kërkesë apo propozim nga ana e tyre.
Kjo më bën t’Ju pyes: Atëhere më thoni, lutem,si Ju ka lindur ideja?
Si u ngjiz ajo në ndërgjegjen Tuaj?
Nga e morët shtysën motivuese?
Nuk kam arsye të besoj hëpërhë që kryetari i Akademisë së Shkencave nuk ka thënë të vërtetën kur iu përgjigj akademikut Apollon Baçe, por gjithsesi Ju informoj sa më sipër në mënyrë që ta sqaroni pozitën Tuaj para akademikëve, por edhe opinionit të gjerë publik të vendit.
Duke njohur dhe vlerësuar traditën nga e cila Ju jeni formuar, si edhe nga simpatia personale e deritanishme për Ju, më lejoni t’Ju pyes: A keni bërë ndonjë analizë, ndonjë ekzaminim, ndonjë observim të thelluar që t’Ju ketë shtyrë në mendimin që këto dy nene të ligjit për Akademinë e Shkencave, në vitin 2019 duhet të ishin sikundër janë sot, dhe tanimë, pikërisht kur po afrohen zgjedhjet për autoritetet drejtuese të Akademisë së Shkencave, pra për kryetarin dhe nënkryetarin e saj, ligji në fuqi të ndryshohet me nismën Tuaj.
Unë nuk pasur fatin të lexoj asgjë të shkruar apo arsyetuar nga Ju, nga zoti Ismet Beqiraj jo se jo, për sa më sipër. Do t’Ju lutesha nëse e kam gabim, të më orientoni që të njihem me refleksionet Tuaja në këtë drejtim.
E them këtë sepse keni ndërmarrë një iniciativë ligjëvënëse pa u konsultuar lirisht dhe publikisht, sipas rregullave normative, me aktorët e interesit, akademikë, por jo vetëm, me universitarë, intelektualë, kërkues shkencorë, etj., për të marrë mendimet dhe propozimet e tyre, qoftë edhe për t’ua parashtruar idenë Tuaj.
Unë, sikurse besoj edhe Ju, mendoj që një projektligj nuk mund të jetë një fanepsje e çastit në kokën e një deputeti, një mesazh i ardhur nga i Gjithëfuqishmi te ai, një ndriçim gati hyjnor që zbret në mënyrë të mistershme, një intuitë spontane e kulluar, e lirë nga ekzistenca, një teke, një transformim i dëshirës së dikujt thënë në vesh një tjetri, një dëshirë e pakontrolluar nga asnjë vlerë etike.
Në kushtet kur Akademia s Shkencave nuk Ju ka sygjeruar ndryshimin e këtyre dy neneve të ligjit në fuqi, kur Ju vetë nuk keni asnjë raport ose studim që të justifikojë ndryshimet ligjore që Ju propozoni, kur nuk jeni konsultuar publikisht me aktorët e interesit, sado inteligjent që ju njoh, unë kam të drejtë të pyes veten: Si mundeni t’u propozoni kolegëve tuaj deputetë, Kryetares të Kuvendit të Shqipërisë, një iniciativë të tillë ligjore?
Arsyetimet e mësipërme më bëjnë të them sinqerisht se iniciativa Juaj, sado ligjore të quhet, me dashjen apo pa dashjen Tuaj, u shërben interesave të drejtuesve të sotëm të Akademisë të Shkencave, për të rinovuar mandatet e tyre përsëri. Është si një dhuratë e Zotit për të drejtuar përsëri e përsëri !
Unë nuk mundem të mos Ju kujtoj se katër vite më parë grupi Juaj parlamentar dhe grupi i deputetëve gjoja iniciatorë e argumentuan modelin e ligjit që sot është në fuqi, pikërisht me atë se si rezultat i akumulimit të mandateve drejtuese, Akademia e Shkencave ishte kthyer e shumta në një si lloj Agjencie Funerale, me zgjedhje farsë, ku kryetari bëhej nënkryetar dhe nënkryetari bëhej kryetar sikurse kanë qenë psh teknikat e Putinit, ose zotëronin pushtete të përjetshme si të Stalinit! Ju përsëri rrezikoni të na e ktheni atë gjendje.
Unë Ju drejtohem personalisht edhe sepse po më cenoni të drejtën për të kandiduar, unë apo edhe akademikë të tjerë, në mënyrë të barabartë me të gjithë akademikët e tjerë. E drejta për një mandat të dytë për drejtuesit e sotëm jo vetëm përjashtohet me të drejtë nga ligji i sotëm në fuqi, por ka përbërë edhe nga arsyet qendrore të formulimit të tij në formën e sotme. Pra, për ta ndarë akademinë e Shkencave nga modeli i një Agjencie Funeralesh! Si mund të ketë shanse të barabarta dhe mundësi të barabarta për t’u zgjedhur në drejtim të Akademisë të Shkencave kur drejtuesit e sotëm kanë në duar kompetenca shumë të gjera për të influencuar dhe për të krijuar avantazhe financiare dhe funksionale në mënyrë që të kenë mbështetje elektorale që askush tjetër nuk mund ta ketë!
Sikur u argumentua nga Ju, nga grupi i juaj parlamentar dhe nga vetë Drejtuesi i forcës tuaj politike në atë kohë, ky ligj u bë kështu sikurse është sot pikërisht për t’i dhënë fund farsës të zgjedhjes në akademinë e shkencave që iniciativa Juaj ligjore do ta rikthejë.
Unë Ju drejtohem edhe me ankimimin publik se po dëmtoni të drejtën time të barazisë të kandidimit dhe të zgjedhjes në postin e drejtuesit të Akademisë të Shkencave!
Zoti Petro Koçi,
Unë kam pasur bindjen dhe e ruaj atë sa kohë nuk do të zhgënjehem përfundimisht, që Ju nuk jeni nga ai soj deputetësh që e mendojnë postin vetëm të përfitojnë privilegje ose të ndërmarrin arbitraritete që shkelin me këmbë dinjitetin e intelektualëve, universitarëve dhe akademikëve, të qytetarëve në radhë të parë!
Por, dua t’Ju kujtoj që katër vite më parë një grup deputetësh në kuptimin tim mashtruan opinionin publik dhe Kuvendin e Shqipërisë duke deklaruar se kishin përgatitur ata një tekst projektligj të ri për Akademinë e Shkencave. Në fakt ai tekst, sikurse e dinë mirë një sërë personalitetesh dëshmitare, sikurse e provon krahasimi i thjeshtë tekstual, nuk ishte veçse teksti i rrëmbyer fshehurazi syve të publikut nga zyra e ministres së atëhershme të arsimit, tekst i sjellë nga drejtuesit e sotëm të Akademisë së Shkencave në atë kohë në emër të një grupi me pretendime reformuese.
Në atë kohë unë i pyesja publikisht këta deputetë: a keni bërë takime publike me grupet e interesit, a keni studime dhe analiza që mbështesin idenë tuaj, a keni diskutuar me ata që janë kundër këtij projektligji që propozoni? Dhe nuk mora asnjë përgjigje. Kurrë! Nuk u kërkua kurrë një autorizim nga ministria e financave për të vërtetuar se ai projektligj nuk kërkonte buxhete suplementare, sikurse e donte procedura ligjore.
Ku janë sot deputetët që na kanë dhënë këtë ligj për Akademinë e Shkencave që veç anëve që i gjykoj të zeza ka edhe ndriçime të bardha sidomos kur ai nuk lejon të krijohen stagnacione putiniane pushteti në krye të Akademisë të Shkencave? Inciatorja kryesore e atij projektligji, fallco sigurisht, nuk dihet se në ç’kryeqytet të botës kryen detyrën e ambasadores; deputeti Ismet Beqiraj në po atë kolltuk deputeti, sot propozon të kundërtën e atij ligji që inicionte me pathos, pa dëgjuar asnjë zë tjetër, katër vite më parë. Deputetë të tjerë që asokohe bënin si iniciues a mbështetës të paanshëm të ligjit sot janë bërë ose akademikë, ose anëtarë komisionesh të Akademisë së Shkencave. Sikurse ka zbuluar revista Birn, shihni pak sesi deputetë bëhen akademikë, shihni si ish nëpunës të lartë kanë pozita kyçe në Akademinë e Shkencave, shihni si partiakë të lartë bëhen akademikë ose marrin ndikime mbi veprimtarinë e saj.
Nuk mund të them shihni pak se mos ka edhe akademikë ish sigurimsa dhe bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete të kohës totalitare!
Unë, të them të drejtën, nuk arrij të kuptoj si një deputet pa studime në fushën e shkencës, i pa yshtur nga Akademia e Shkencave, pa analiza për veprimtarinë e këtij institucioni, pa marrë mendimin e akademikëve, pas kurrizit të tyre, të propozojë nisma ligjore krejt të kundërta me ato që mbronin më parë!
Mendja ime nuk e rrok dot!
I nderuar zoti Petro Koçi,
Unë Ju ftoj të reflektoni për nismën Tuaj ligjore dhe lutem të hiqni dorë prej saj!
Ajo nuk është fare në përputhje me imazhin që kam për Ju, dhe dua të besoj se është një ndërmarrje që do të ri-mendohet nga Ju! Nuk besoj kurrë që një mëngjes, ashtu pa asnjë ndikim, Ju të jeni ngritur me mendimin për t’i bërë dëm së mirës publike!
Unë dëshiroj të ruaj për Ju atë mendim të lartë që kam pasur! Mos ma prishni atë duke bërë ligje sipas profilit të një kandidati në zgjedhjet që po afrojnë në Akademinë e Shkencave.
Mos harroni se kur i bën mirë padrejtësisht dikujt, nuk përjashtohet se i bën keq të tjerëve, sidomos publikut!
Nëse dëshironi, unë jam gati të ballafaqohem me Ju, si edhe me kolegun dhe bashkë-nismëtarin Tuaj, z. Ismet Beqiraj, në çdo studio televizive që Ju do të zgjidhni!
Unë ju sfidoj, nëse nuk pranoni që ta quajmë këtë një ftesë për debat publik!
Me respekt,
Artan Fuga