AKTUALITET, 22 Nëntor 2021, 21:10

"Mos shko te Berisha se pas Vitit të Ri qeverisim me Ramën"/ Noka: Çfarë u thonë demokratëve njerëzit e Bashës!

"Mos shko te Berisha se pas Vitit të Ri qeverisim me Ramën"/

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku ka folur për lëvizjen e Sali Berishës në bazën e Partisë Demokratike, e cila do të kulmojë me mbajtjen e Kuvendit Kombëtar në 11 dhjetor. 

Noka tha se Lulzim Basha bashkëpunon me Edi Ramën, madje demokratëve në bazë u është thënë se pas Vitit të Ri, do të ketë bashkëqeverisje PS-PD. 

"Kush është ai i fituari dhe i gëzuari, që livadhis, në gjithë livadhin e trojeve të shtetit shqiptar, pas vendimeve të Bashës? Vetëm Edi Rama.

A ka nevojë për analizë të thellë kjo? Jo! Është shumë e qartë, janë një dyshe, që ne duhet ta kishim konstatuar edhe më herët këtë gjë.

Tregon që këta kanë një plan. Bashkërendimi i tyre është në pikën që ne e kemi hasur edhe në bazë.

Në shumë vende, përshembull në Lushnje, më kanë konfirmuar që i kanë thënë, mos shko te Berisha, se pas Vitit të Ri do të qeverisim me Ramën. Kjo tregon se Basha është peng dhe ka një mision, shkatërrimin e opozitës", tha Noka. 


"Si na mashtroi Lulzim Basha, kur dogji mandatet"

Noka foli në emision edhe për rastet kur Lulzim Basha ka gënjyer, për mbështetjen nga demokratët. 

"Basha në aspektin moral, ka prerë në besë Berishën, demokratët dhe PD-në. Në aspektin politik i ka dhënë goditje fatale opozitën. Unë nuk kam qenë kritik publik, sepse kam dashur të besoj se nuk është peng, por koha e tregoi se ai është peng. 

I fali deputetët, sepse i fali parlamentin, drejtësinë, pushtetin lokal, i fali të gjitha. Unë kam qenë pro djegjes së mandateve, Berisha nuk ka qenë pro. Tani, përse? Më thërriste mua, më thoshte kam folur me ata të SHBA, do ta zgjidhim ne.

Më thoshte kam biseduar me partnerët, thoshte e kam zgjidhur. E thërret Belind Këlliçin, që kishte kontakte me amerikanët dhe i thotë, e kam biseduar me gjermanët. Ku është çështja? Kjo është shumë e rëndë. Kur je kryetar, e kam të vështirë të besoj, se kryetari është mashtrues në këtë pikë dhe pafytyrësia arrin në këtë pikë. E kam të vështirë ta besoj këtë. ", tha Noka.