TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pushteti vendor ka rritur borxhet përgjatë vitit të kaluar me mbi 2.3 miliardë lekë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në fund të muajit shtator pushteti vendor kishte 7.8 miliardë lekë detyrime të papaguara. Situata më problematike paraqitet në Bashkitë Kavajë, Mirditë dhe Vorë, që kanë vlerën më të madhe të borxheve për të ardhurat që ato mbledhin. Për të nxjerrë pushtetin vendor nga borxhet e akumuluara prej vitesh që po kthehen në pengesë për shërbimet që ofrojnë për qytetarët apo për investimet që planifikojnë qeveria ka gati një plan të ri për t'i ndihmuar.
Një udhëzimin e ri për procedurat për menaxhimin e vështirësive financiare për njësitë e vetëqeverisjes vendore cakton Ministrinë e Financave si përgjegjëse për kontrollin, monitorimin dhe shpëtimin e bashkive. Duke qenë se pjesën më të madhe të borxheve bashkitë e kanë për shkak të investimeve të papaguara, në Udhëzim thuhet se do të kontrollohet regjistri i prokurimeve të planifikuara në fillim të çdo viti në mënyrë që shuma totale e tenderave të jetë më e vogël se shpenzimet e planifikuara. Gjendja financiare e bashkive do të klasifikohet në 4 grupe sipas vështirësisë që ka gjendja e tyre financiare në varësi me buxhetin e tyre, raporton report.
Ato që kanë probleme financiare, zgjidhjen do e planifikojnë në buxhetin e tyre, ku do caktojnë fonde për të larë borxhet nga më i vjetri tek më i riu. Bashkitë që janë në vështirësi financiare ndalohen të krijojnë borxhet të tjera, si dhe në planin që për të dalë nga vështirësia do ta bazojnë tek rritja e të ardhurave vendore, rishikimin e shpenzimeve buxhetore si dhe përdorimin e të ardhurave nga shitja apo përdorimi i aseteve. Po në të njëjtat shtylla do të bazohet edhe plani për të dalë nga kriza e bashkive që kanë vështirësi serioze financiare, të cilat do të mbështeten financiarisht me fonde ose kredi nga buxheti i shtetit. Por gjendja e tyre do të monitorohet nga mbikëqyrësi financiar, i cili mund të kufizojë kompetencat e kryebashkiakut nëse autorizohet nga Ministria e Financave.
Kurse në rastet kur bashkia ka paaftësi paguese do të menaxhohen nga administratori, i cili në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë dhe Ministrinë e Financave bëjnë planin për të dalë nga kriza mbështetur në shtyllat e mësipërme si dhe mund të frenohen shpenzimet vendore, për të pasur kursime. Dalja nga kjo gjendje duhet të bëhet brenda dy vitesh. Në raportin për vitin 2022, 8 bashki klasifikoheshin me probleme financiare, 4 me vështirësi dhe pjesa tjetër pa probleme.