TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Inspektorati Rajonal i Punës Elbasan ka pezulluar pa afat aktivitetin e fasonerisë në Bilisht, pas protestës së punonjësve të këtij subjekti. Shkak i protestës është përgjysmimi i pagave mujore.
Po ashtu punonjëset pretendojnë se nuk u është dhënë leja vjetore, ndërkohë ka punonjëse të pasiguruara. Një grup inspektorësh prej së enjtes po verifikojnë kushtet e punës në fasoneri si dhe dokumentacionin e subjektit dhe po vijon me marrjen e deklarimeve te punonjësve.
Si masë urgjente Inspektoriati ka vendosur pezullimin pa afat të aktivitetit te fasonerise për shkak të shkeljes dhe pengimit të lirisë sindikale për të protestuar.
Punonjëset e fasonerisë vijuan edhe sot protestën duke kërkuar kthimin në punë të kryetares së sindikatës, e cila u pushua nga puna në fund të dhjetorit. Ato u shprehën se do të vazhdojnë protestën deri në plotësimin e të gjitha kërkesave që lidhen me pagën, kushtet e punës dhe pagesat e raporteve mjekësore.
Kryetarja e Sindikatës së Punëtoreve të Fasonerisë, Mirjeta Mulla u shkarkua nga puna pasi i nisi shkresë pronarëve, ku i kërkonte pushimet e vitit të ri bashkë me ditët e prapambetura të lejes vjetore.
“Në datën 22 dhjetor kam dorëzuar një shkresë tek pronarët, ku i bëj me dije se duhet të marrim pushimet e vitit të ri edhe ditët e prapambetura të lejes vjetore që i kemi marrë, për të cilat ramë në një ujdi me pronarët që në gusht që do na i jepte për vitin e ri”, ka shpjeguar Mulla.
Në një kërkesë tjetër ajo kundërshtoi uljen e pagave për disa nga gratë punëtore në fasoneri.
“Më 29 Dhjetor më erdhi zarfi që më njoftoi se jam e pushuar nga puna. Ka 20 e ca punëtore që i mban pa sigurime, i quan të reja, por nuk janë të reja se ka vite që punojnë aty. Kohët e fundit ka filluar nuk paguan as raportet shëndetësore” tha Mirjeta Mulla për mediat.
“Ne atë e kemi përfaqësuese të punëtoreve. Duan të na kthehet shoqja në punë. Ai nuk do” tha një prej grave punonjëse.
“Nuk duam të largohet sindikata. Na uli 5 vetave rrogën ai, edhe Mirën e largoi. Të shtunave nuk i paguan të plota” tha një tjetër.
149 punonjëset kishin dalë këtë të mërkurë sërish në protestë, për të njëjtat probleme që kishin para një viti.