TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Drejtuesja e re e Partisë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar do të jetë Liz Truss, duke u bërë automatikisht edhe kryeministre e vendit.
Truss u zgjodh me votat e anëtarëve të Partisë Konservatore, pas dorëheqjes së Boris Johnson nga kreu i kësaj partie. Ajo mori 81,326 vota nga anëtarët e partisë.
Rivali i saj Rishi Sunak, ish kancelari i Thesarit, mori 60,399 vota, duke mos arritur të marrë drejtimin e partisë edhe pas një fushate të fortë.
Boris Johnson, kryeministër ende në detyrë, do t'i dorëzojë dorëheqjen ditën e nesërme Mbretëreshës Elizabeth II dhe më pas Truss do të jetë kryeministrja e re.
Liz Truss ka shërbyer si Sekretare e Jashtme në kabinetin e Johnson. Ajo do të jetë kryeministrja e tretë grua në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.
Në fjalën e parë pas shpalljes së rezultatit, Truss falenderoi Boris Johnson, të cilin e quajti mik dhe e lavdëroi atë për përmbylljen e Brexit dhe lidershipin që ka treguar në arenën ndërkombëtare, veçanërisht pas luftës në Ukrainë.
Ajo ka premtuar ulje taksash dhe një plan urgjent, të cilin është zotuar se do ta publikojë brenda një jave, për përballimin e rritjes galopante të çmimit të energjisë dhe kostos së jetesës.