TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Afro 32.300 fermerë kanë aplikuar deri më tani për të përfituar nga skemat e mbështetjes në bujqësi për vitin 2026, për të cilat fondi në total i vendosur në dispozicion është 52 milionë euro.
Këtë vit skema ka risi të rëndësishme, pasi është rritur masa e financimit për krerë në blegtori dhe bletari dhe është përgjysmuar edhe tavanin e tufave që duhet të kenë fermerët për përfitim, çka do të thotë se do të ketë më shumë blegtorë dhe bletarë që do të përfitojnë, në raport me vitet e mëparshme. Ndërsa skema e naftës nuk do të aplikohet si në vitet mëparshme por do të mbulohet përmes rimbursimit 10 % të faturave të shitjes.
Risi është edhe financimi me 100 euro për hektar për sipërfaqe të mbjellë me kultura bujqësore, me jo më pak se 3 hektarë. Konkretisht, blegtorët me jo më pak se 5 krerë lopë dhe /ose mëshqerra. do të marrin 12 mijë lekë/krerë, për tufën bazë të matrikulluar. Do të jepen 1500 lekë/krerë për tufën bazë të matrikulluar për çdo fermer me jo më pak se 50 krerë dele dhen/ose dhi. Për mbarështimin e bletarisë, do të jepen 2 mijë lekë për zgjua, për aplikant, me jo më pak se 25 zgjoje.
Për herë të parë është futur mbështetja për dosa dhe/ose paradosa të matrikulluara, në vlerën deri në 7 mijë lekë/ krerë për aplikantët me jo më pak se 5 krerë dosa dhe/ose paradosa. Për pjesën mbi 100 krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%.
Qeveria ka përcaktuar se 2.5 miliardë lekë nga fondi total shkojnë për skemën e investimeve, ku bën pjesë mbështetja e fermerëve të rinj me 10 mijë euro grant, si dhe financimi për ndërtimin/rikonstruksionin e staneve dhe/ose pajisjeve për përmirësimin e kushteve, masa e përfitimit është në 70% e vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 3 milionë lekë për subjekt.
Për pajisje, makineri dhe mjete bujqësore për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në ferma bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit është në 50% e vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 500 mijë lekë për subjekt dhe jo më pak se 50 mijë lekë për subjekt. Për të përfituar nga masat mbështetëse, kushti kryesor për aplikantët është shlyerja korente e sigurimeve shoqërore. Afati i fundit i aplikimit është data 26 Qershor përmes e - Albania, ndërsa për masat 10-12 aplikimi bëhet me dorëzim të dosjeve fizike pranë AZHBR.