AKTUALITET, 15 Maj 2024, 10:14

Mbajti peng fëmijët e mitur dhe qëlloi me kallashnikov mbi RENEA-n, 40-vjeçari ishte denoncuar nga gruaja për dhunë në familje

Mbajti peng fëmijët e mitur dhe qëlloi me kallashnikov mbi

Personi në foto është 40-vjeçari Aleks Marku i cili mbajti peng dy fëmijët e tij të mitur.

40-vjeçari nga Lezha është vetëdorëzuar pas rreth 5 orësh negociata me efektivët e repartit RENEA.

Mësohet se policia ka marrë njoftimin rreth orës 02:20 se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri brenda apartamentit të lëshuar me qira, por lirimi dhe dorëzimi i fëmijëve është bërë i mundur vetëm në orën 07:00 të mëngjesit.

Pas vetëdorëzimit ai ka deklaruar: “Qëllova nga dritarja sepse prisja të më sulmonin disa njerëz.”

40-vjeçari mbajti peng për disa orë fëmijët e tij brenda një apartamenti të marrë me qira pranë zonës së Shkëmbit të Kavajës në Durrës.

Raportohet se fëmijët e mitur të moshës 6 dhe 11 vjeç qanin në banesë duke i kërkuar të atit të vetëdorëzohej teksa RENEA negocionte me 40-vjeçarin nga Lezha.

Aleks Marku raportohet se ka qëlluar mbi 15 herë nga dritarja me kallashnikov.

Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit Aeks Marku, të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.

Gjithashtu, policia nxorri të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë. 40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale.

Marku është akuzuar se ka ushtruar dhunë në familje dhe gruaja e tij ka pasur urdhër mbrojtje nga policia e Lezhës.