AKTUALITET, 1 Korrik 2022, 13:32

Mandati i ministres Olta Xhaçka/ Rama i del në mbrojtje: Nuk jemi perfekt, kemi dhe ne të metat tona. Por le ta gjykojnë institucionet

Mandati i ministres Olta Xhaçka/ Rama i del në mbrojtje: Nuk jemi

Kryeministri Edi Rama u pyet sot për kërkesën e opozitës për ministren e Jashtme Olta Xhaçka që t’i hiqet mandati pas përfitimit nga ana e bashkëshortit të saj të statusit të investitorit strategjik.

Rama tha se personalisht nuk sheh probleme për këtë çështje, por kërkoi që gjykimi përfundimtar të vijë nga institucionet përkatëse.

“Unë besoj që është koha, ka kohë që ka kaluar koha në fakt nuk është sot, që ne, kur them ne, flas për vete e pjesën tonë, të dorëzohemi para faktit që vesi del me shpirtin dhe që këta që merren me këto punë nuk do të ndryshojnë kurrë, kurrë për fat të keq.

Ne natyrisht jemi shumë mirëpritës për çdo shenjë ndryshimi nga ana e tyre por këta nuk do të ndryshojnë e kjo tërheqja zvarrë e çdo gjëje dhe kujtdo qoftë që u del para për të bërë linçime dhe përbaltje publike është një praktikë që nuk do të ndryshojë kështu që zgjedhja jonë është e thjeshtë dhe rruga jonë e përcaktuar, ose do të bëjmë punët duke qenë të vetëdijshëm se nuk jemi perfekt kemi dhe ne të metat tona, ose do të merremi me këta.

Çdo minutë i humbur për t’u marrë me këta është gjynah i madh. Nuk shoh asnjë problem të natyrës së ngritur në këtë furtunë në gotë, unë personalisht, por le ta gjykojnë institucionet”, tha Rama.