AKTUALITET, 22 Shtator 2022, 21:42

Lorenc Vangjeli: Paratë e pista të drogës dhe trafiqeve shkatërrojnë strukturën normale të shtetit

Lorenc Vangjeli: Paratë e pista të drogës dhe trafiqeve

Lorenc Vangjeli thotë se paratë e pista po shkatërrojnë të gjithë strukturën normale të shtetit. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Vangjeli deklaroi se jeta e kriminelëve është gjithmonë e shkurtër dhe se rruga e krimit nuk përfundon asnjëherë në mënyrë të suksesshme. "Kriminelët nuk bëhen gjyshër", deklaroi analisti. 

“Problemi është që ky fluks kokaine është i dëmshëm për secilin nga qytetarët, madje edhe për kategorinë që e bën. Po ju them diçka. Asnjë bandit, asnjë kriminel qoftë ky me pasaportë shqiptare qoftë me pasaportë të huaj nga cilido cep i globit, nuk ka arritur kurrrë të bëhet gjysh, të ketë nipërit dhe mbesat e tij, sepse fundi i tyre është jetë e shkëlqyeshme dhe ndrisin për pak kohë, por jetën e ka në të shkurtër.

Nga ana tjetër ky shkakton një dëm të jashtëzakonshëm për çdo qytetar shqiptar. Paratë që vijnë nga burime të pista vrasin paranë e pastër, pra ai çmim 5 mijë euro metri katror në Tiranë nuk është real, por ai bën që një zyrtar, një qytetar i zakonshëm, 100 eurot e tij të vlejnë më pak sepse ai nuk arrin dot ta blejë atë.

Ekziston dhe është thënë shpesh madje edhe publikisht sepse nën zë thuhet “ç’të keqe ka?” se me  paratë e pista zhvillohet ekonomia, hamë të gjithë, është ideja ”Përgjigja e parë për një gjë të tillë do të ishte që në raste të tilla Kolumbia apo Ekuadori do të ishin si Zvicra, por në fakt është e kundërta. Janë ata më mirë sepse ata rrisin lopë, prodhojnë çokollata dhe orë. 

Paraja e pisët investohet në mënyrë të keqe gjithmonë dhe shkatërron të gjithë strukturën normale të një shteti, ndaj këmbana nuk është se mund të bjerë në portin e Durrësit, mund të bjerë në mënyrë tragjike sepse mund të rriten përdoruesit. Kjo është një peshë e cila shtyp në mënyrë të pamëshirshme shoqërinë.

Cila është përgjigja që i duhet dhënë? Është e qartë që ky krim që tashmë është ndërkombëtar që shqiptarët nga pjesa fundore, hallka e fundit e zinxhirit, sot kanë vajtur në vendet e origjinës dhe kanë disa vjet që e bëjnë një gjë të tillë dhe ndryshe nga parardhësit e tyre që kontrollonin një linjë trafiku ata që janë atje kontrollojnë gjithë zhinxirin, pra që nga blerja deri te tregtia me pakicë, duke shumfishuar në këtë mënyrë fitimet e tyre.

Duke qenë një rrjet ndërkombëtar në të gjitha rrethanat Shqipëria është e pafuqishme që të rrijë përballë tyre e vetme. Vetëm nëpërmjet bashkëpunimit rajonal fillimisht, por si gjithmonë ne shpëtimin e kemi parë që nga ’44-a ne thoshim zbarkim anglo-amerikan, sërish ky aks nëse na jep një dorë mund t’ia hedhim kësaj të keqeje, ose ta minimizojmë, ndryshe vetë ne do ta kishim të pamundur. Sepse logjika e përgithshme kthehet që edhe ai polici që do ta ndjekë atje me një palë këpucë që merr sipas normës, nuk do të  vrapojë pas arkës me banane, por do të shikojë të marrë një banane”.