AKTUALITET, 15 Prill 2023, 11:56

‘Lokalet’/ Koalicioni “Bashkë Fitojmë” çel sot zyrtarisht fushatën elektorale, Këlliçi i pari që do të marrë fjalën, Berisha dhe Meta…

‘Lokalet’/ Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” çel sot fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Ashtu siç është thënë dhe këto ditë, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, çelja e fushatës do të bëhet në orën 12:00 në stadiumin “Air Albania”.

“Ndryshimi fillon nga duart e tua”, është edhe slogani i publikuar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Gazetari Osman Stafa në një lidhje për News24 tregoi detaje nga organizimi i sotëm, ku demokratë dhe përfaqësues të Partisë së Lirisë kanë udhëtuar dhe nga rrethe të vendit, për të qenë në stadiumin ‘Air Albania’. Po ashtu mësohet se pasi të jepet një dokumentar mbi zhvillimet në PD dhe rikthimit të Berishës te demokratët përmes Rithemelimit, i pari që do të hapë zyrtarisht fushatën është kandidati për bashkinë e Tiranës, Belind Këllici, duke vijuar me të tjerë kandidatë të rretheve. Mes 17-20 folësve, është dhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe në fund do të jetë si gjithmonë dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Ndërkohë, vlen për t’u theksuar se gjatë ditëve të fundit kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shoqëruar ish-kryeministrin Sali Berisha në disa qytete të Shqipërisë, ku dhe kanë prezantuar kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 majit për Bashkitë e këtyre qyteteve.