TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Aktivistët e Lëvizjes BASHKË kanë protestuar pasditen e sotme në krah të banorëve të rrugës Llambi Bonata në Kombinat, kundër ndërtimit të një pallati 7-katësh në parkun e vogël midis pallateve të tyre. Fëmijë, pleq, gra, burra, të rinj e të reja ngritën zërin e shqetësimit për zhdukjen e parkut të tyre.
“Fëmijët do ta ëndërronin një hapësirë të tillë, një hapësirë ku mund të dalësh nga pallati me top e mos të të shtypë makina 50 centimetra nga dera e pallatit. Shumica dërrmuese e fëmijëve të Tiranës tashmë e kanë humbur hapësirat publike, tashmë i kanë humbur parqet. Sepse politikanët e korruptuar në bashkinë e Tiranës dhe në qeverinë e Republikës së Shqipërisë, politikanë si Erion Veliaj dhe Edi Rama përfitojnë miliona, bashkë me oligarkët e ndërtimit duke e kthyer qytetin në një shesh të përhershëm ndërtimi”, -deklaroi Arlind Qori.
Ai u kërkoi banorëve që të rezistojnë ta mbrojnë këtë park, pasi bashkë me ta do të përfitojnë të gjithë fëmijët e Tiranës. Ndërsa theksoi se humbja e hapësirave publike vjen për shkak të korrupsionit në qeveritë vendore e qendrore.
Sipas tabelës së projektit, e cila tanimë është rrëzuar nga banorët në shenjë proteste, lulishtes i kanë dalë pronarë dhe thuhet se leja është dhënë për rrugën “Sabaudin Gabrani”, e cila ndodhet në afërsi të Misto Mames. Ndërkohë që pallati do të ndërtohet në rrugën “Llambi Bonata”. Banorët, të cilët u mblodhën në lulishte u shprehën se në këtë zonë nuk ka vende të tjera çlodhjeje dhe argëtimi.
“Është e ardhmja këtu që po rritet, pavarësisht që mungojë kopshtet dhe lodrat dhe çdo gjë. Dhe e vetmja gjë që ka ngelur këtu duan të na e rrëmbejnë. Edhe ajrin që kemi pa lek duan të na e vjedhin. Të mendojmë për filizat që po rriten, për pensionistët që s’kanë ku të çlodhen edhe pse dy stola kanë tentuar të na venë, duke na injoruar gjithë kohës. As nuk na kanë begenisur duke ardhur të na shohin për asnjë problem që kemi ngritur zërin. Qoftë edhe për ujin edhe për çdo gjë”,- u shpreh një nga zonjat e pranishme në protestë.
Banorët mes të tjerash denoncuan edhe faktin se Kombinati është lenë me gërmadhat e pallateve të shembura për shkak të tërmetit.
“Kombinati është bërë si gërmadhë. E vetmja lulishte që ka mbetur në Kombinat duan ta prishin, ta bëjnë sic janë bërë të gjitha pallatet që janë shembur. Le të japin leje ndërtimi ku janë shembur pallatet e tjera. Pse duhet të prishin një lulishte. Ka thënë që do mbjellim 2 milionë pemë. Hajde t’i shkulim njëherë 100 pemë këtu në Kombinat dhe ti mbjellin me ndonjë vend tjetër që të bëhen 3 milionë”,- deklaroi një nga banorët.