AKTUALITET, 20 Dhjetor 2024, 16:05

Letërnjoftimi, edhe digjital/ Drafti në parlament, synohen lehtësi për shërbimet e qytetarëve

Letërnjoftimi, edhe digjital/ Drafti në parlament, synohen

Në bankë, te noteri, për t'u regjistruar në universitet, për të marrë një shërbim shëndetësore  apo kudo ku nevojitet  karta  e identitetit së shpejti nuk do t’ju duhet ta paraqisni fizikisht. Shërbime publike apo private  mund ti merrni edhe përmes letërnjoftimit digjital. Qeveria ka dërguar në Kuvend draftin ku parashikohen ndryshimet ligjore.

Nisma ka kosto rreth 5 miliardë lekë dhe parashikohet në  realizohet në tre faza. Vitin e parë do të ndërtohet  infrastruktura  për projektin.  Të dytin  rreth  360 mijë shqiptarë synohet të pajisen me letërnjoftim digjital dhe  vitin e tretë parashikohet që  dokumentin ta kenë  gjysma e qytetarëve.

Lehtësi në marrjen e shërbimeve, mbrojtja e të dhënave personale dhe  lufta ndaj krimit të organizuar janë synimet e këtij projektligji sipas relacionit që e shoqëron.

Në çdo rast qytetarët mund të zgjedhin për t’u pajisur me një nga format e letërnjoftimit  ose mund të pajisen njëkohësisht me letërnjoftimin elektronik dhe digjital.

Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i kompanisë  pajisjes me karta dhe pasaporta IdentiTek ose nga shoqëri të tjera  të cilat kanë kapacitete teknike e financiare. Identiteti digjital u prezantua nga Komisioni Europian në qershor të vitit 2021.