AKTUALITET, 31 Tetor 2024, 22:10

Lala zbulon skandalin me mbetjet e Kurum: Autoriteti Portual nuk i bindet Prokurorisë!

Lala zbulon skandalin me mbetjet e Kurum: Autoriteti Portual nuk i bindet

Anija turke me mbi 100 konteinerë që dyshohet se janë me mbetje të rrezikshme të kompanisë “Kurum”, prej të hënës është ankoruar në radën e jashtme të Portit të Durrësit, ndërsa Prokuroria ka lëshuar një urdhër sekuestrimi për konteinerët. Gazetarja Klodiana Lala u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN Tv, se Autoriteti Postual nuk po zbaton një vendim prokurorie, dhe ka përpjekje për ta mbyllur skandalin dhe për të shpëtuar imazhin e Kurumit.

“Këtu të gjithë institucionet po mbyllin sytë. Autoriteti Portual sot i është përgjigjur prokurorisë dhe ka thënë nuk zbatojmë dot urdhërin për sekuestrimin e kontejnerëve, duke pretenduar se nuk ka kushte të monitorojë 24 orë me kamera, duke presupozuar se mbajnë lëndë të rrezikshme, mund të jenë rrezik për mallrat dhe qytetarët.

Pra një autoritet që lë të pazbatuar një vendim prokurorie, që minimalisht, është përpjekje e qeverisë për ta mbyllur skandalin dhe për të shpëtuar imazhin e Kurumit.

Anija duhet të kalojë në kalatën e Portit dhe të shkarkohen kontejnerët që të merren analizat. Kjo nuk ka ndodhur.

Ka dështuar prokuroria, sepse kur nuk zbatohet urdhëri, duhet të firmosë urdhër-arrest për shpërdorim detyre dhe të merren analizat, për të kuptuar çfarë ka ndodhur.

Vonesa në këtë histori është përpjekje për të mbyllur skandalin, që nuk përfshin vetëm Shqipërinë, por ka shkelur marrëveshje ndërkombëtare dhe vë njollë të zezë.

Pjesa më e madhe e mediave thonë se u zbatua vendimi, por nuk është e vërtetë. Anija qëndron në mes të detit.

Mund ta lënë aty pafundësisht. Kur të mos ketë interes mediatik, do të thonë dolën mbetjet në rregull dhe do të groposen në ndonjë cep”- tha Lala.