TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë organizoi sot simpoziumin me temë “Së Bashku për Familjen: Dialog Ndërfetar dhe Institucional”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes.
Në këtë simpozium morën pjesë drejtuesit e komuniteteve fetare në vend, përfaqësues institucionesh, anëtarë të bordeve drejtuese, si dhe përfaqësues të Departamenteve të Gruas dhe Rinisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, theksoi rëndësinë jetike të familjes në ruajtjen e paqes sociale, edukimit dhe vlerave njerëzore e shpirtërore.
“Familja është vendi ku njeriu mëson për herë të parë kuptimin e dashurisë, të përgjegjësisë, të sakrificës dhe të respektit për tjetrin dhe Zotin. Asnjë shoqëri nuk ka arritur të ndërtojë paqen e saj pa paqen brenda familjes”, u shpreh Kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij.
Në vijim të fjalës së tij, ai theksoi edhe përgjegjësinë që komunitetet fetare kanë ndaj shoqërisë dhe familjes shqiptare.
“Ne, si komunitete fetare, kemi përgjegjësinë jo vetëm të flasim për familjen, por të jemi pranë saj, pranë të rinjve, prindërve, të moshuarve, pranë atyre që ndihen të vetmuar, të pasigurt apo të humbur në një kohë që ndryshon me shpejtësi”, u shpreh ai.
Në vijim të aktivitetit, përfaqësues të Bordit Ekzekutiv të Këshillit Ndërfetar diskutuan mbi vlerat familjare në traditat fetare dhe rolin e komuniteteve fetare në mbështetjen e familjes shqiptare.
Më pas u zhvillua paneli i diskutimit i organizuar nga Departamenti i Gruas dhe i Rinisë, ku përfaqësues nga komunitetet fetare trajtuan tema që lidhen me emigracionin dhe ndikimin e tij në strukturën familjare, sfidat e teknologjisë në marrëdhëniet familjare, edukimin dhe rolin e prindërimit, si dhe nevojën për forcimin e rolit të gruas në stabilitetin familjar.