AKTUALITET, 26 Shkurt 2024, 15:46

Kredi të buta për studim/ Përjashtohen studentët me bursa dhe pa tarifë studimi

Kredi të buta për studim/ Përjashtohen studentët me bursa

Shumë prej studentëve në universitetet publike mund të marrin kredi të butë për të mbuluar koston e jetesës dhe studimeve deri në kufirin e pagës minimale mujore gjatë viteve të shkollës. Nga universiteti “Eqerem Çabej” në Gjirokastër ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu i ka ftuar studentët të aplikojnë.

“Tashmë ne kemi hapur aplikimet për kredinë studentore. Një kredi e butë me interesa të ulëta, sepse pjesën më të madhe të interesit të kredisë e paguan shteti”, tha ministrja. Por çfarë kriteresh duhet të plotësojë një student për të përfituar kredi studentore?

“Është një kredi e lehtësuar për të përballuar shpenzimet e jetesës, tarifat për studentët  që nuk përfitojnë nga programet e tjera të lehtësimit. Unë besoj fort që është vetëm hapi i parë drejt programeve të mbështetjes tonë studentore.”, pohoi Manastirliu. Lehtësitë  që universiteti ofron  përfshinë  përjashtimin  nga tarifa e studimit dhe mbështetjen  me bursë.