AKTUALITET, 28 Gusht 2025, 13:30

Kontestimi/ Komisioni Rregullator shpalli rezultatin përfundimtar të votimeve të 11 majit, Berisha: PD nuk i njeh zgjedhjet, ishin farsë elektorale

Kontestimi/ Komisioni Rregullator shpalli rezultatin përfundimtar të

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot pasi Komisioni Rregullator në KQZ shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit.

I pyetur lidhur me çështjen në një konferencë për mediat, Berisha tha se PD nuk I njeh zgjedhjet e 11 Majit, pasi ato ishin farsë elektorale.

“PD nuk i njeh zgjedhjet. Përfaqësuesit tanë mbajtën qëndrim dinjitoz në komision. Këto ishin farsë e vërtetë elektorale”, tha Berisha.

Komisioni Rregullator në KQZ shpalli sot rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit.

Me tre vota pro dhe dy kundër, u miratua projektvendimi për rezultatin e zgjedhjeve.

Komisioni pasqyroi numrin e votave të fituara nga çdo subjekt zgjedhor në çdo zonë zgjedhore, numrin e mandateve të fituara nga secili subjekt dhe listën emërore të deputetëve për secilën zonë dhe në rang kombëtar.

Ky hap shënon mbylljen zyrtare të procesit zgjedhor dhe çel rrugën për konstituimin e Kuvendit të ri. Miratimi i rezultatit nga Komisioni Rregullator do të pasohet më pas me mbledhjen e parë të Kuvendit, ku do të zhvillohet edhe seanca e konstituimit.