AKTUALITET, 28 Gusht 2025, 13:24

Detaje/ Arrestimi i punonjësve të IMT nga SPAK, i denoncoi pronari i lokalit në Kombinat! Aksioni me dorëzim të kontrolluar të 1 mijë eurove, njëri u arratis

Detaje/ Arrestimi i punonjësve të IMT nga SPAK, i denoncoi pronari i

Zbardhen detaje nga operacioni i një dite më parë, ndaj punonjësve të IMT-së.

Pronari i një objekti në zonën e Kombinatit i kallëzoi në polici 4 punonjësit e IMT-së, se i vajtën në biznesin e tij, ku konstatuan një tendë që përdorej për lokalin e vendosur brenda oborrit të banesës. Pas konstatimit, e kanë njoftuar se do të prishet pasi është pa leje.

Pasi largohen, njëri prej tyre kthehet pas disa minutash dhe takon pronarin (kallëzuesin) duke i thënë se i ofron marrëveshje që në këmbim të 1000 eurove, nuk do ia prishnin tendën. Ky i fundit menjëherë kallëzoi në polici, ku kjo e fundit mori autorizim nga SPAK për përgjime e vëzhgime ambientale si dhe simulim të dhënies së parave (dorëzimi i kontrolluar).

Shuma e parave është vendosur në dispozicion nga policia, e cila ia ka dhënë kallëzuesit t’ua jepte. Gjatë kësaj kohe, kur shuma e parave iu dorëzua njërit prej punonjësve të IMT, përkatësisht Klajdi Zhillës, 3 kolegët e tjerë e prisnin brenda një lokali në afërsi të objektit në pronësi të Mark Frrokut që nuk ka qenë objekt hetimi por rastësor.

Drejt kësaj adrese Zhilla u largua me një automjet tip “Audi”. Brenda këtij lokali kanë mbërritur punonjësit e policisë ku brenda mes të tjerëve ndodhej Geraldo Fuçia. Punonjësit e IMT kanë kuptuar prezencën e policisë dhe kanë lënë paratë në banakun e lokalit, Klajdi Zhilla arriti të largohej ndërsa 3 të tjerët u ndaluan.

Nga 3 të ndaluarit, vetëm Geraldo Fuçia mbahet në arrest ndërsa u shpall në kërkim Klajdi Zhilla, pasi për dy të tjerët nuk u gjetën prova. Policia sekuestroi paratë që u gjetën në banakun e lokalit, të cilat konvenonin me numrat serial të monedhave që policia i dha kallëzuesit.

Policia këqyri edhe kamerat e sigurisë së lokalit, ku u evidentuan lëvizjet e punonjësve të IMT. Zhilla dhe Fuçia akuzohen për korrupsion pasiv.