AKTUALITET, 13 Mars 2023, 21:51

“Kjo qeveri beson se kriminelët mund të ndërtojnë Shqipërinë”/ Neritan Sejamini: Është një dështim i qëllimshëm i luftës kundër krimit

“Kjo qeveri beson se kriminelët mund të ndërtojnë

Analisti Neritan Sejamini tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se qeveria e Ramës që ka patur tolerancë të lartë ndaj kriminelëve dhe ngjarja e rëndë në “Don Bosko” tregon një gjendje ku kemi falimentim të drejtësisë dhe një dështim të qëllimshëm të luftës kundër krimit nga qeveria, sepse ajo ka për model që ta lulëzojë vendin përmes parave të krimit.

“Aty ka patur një gjendje që mund të kishte më shumë viktima. Kjo mund të klasifikohet si ngjarje terroriste, sepse kur ti synon të ngjallësh panik përmes frikësimit të qytetarëve të thjeshtë, kjo është vepër terroriste.

Kemi një gjendje ku kemi një falimentim total të sistemit të drejtësisë, e cila toleron kriminelët, u jep liri, i shpërblen. Kemi edhe policinë që ndjek kriminelët pas ngjarjeve, por nuk kemi polici që zbulon kriminelë.

Ne këtu kemi të bëjmë me një dështim të qëllimshëm të luftës kundër krimit, sepse modeli i qeverisë shqiptare është ta lulëzojë vendin përmes parave të krimit. Një qeveri që ka qenë që në fillim tolerante ndaj drogës, kultivimit dhe tregtimit të kanabisit, për të kaluar te drogat e rënda dhe ne sot jemi te këto krime të rënda.

Është një qeveri që ka patur tolerancë të lartë ndaj kriminelëve. Të gjithë ata që u burgosën në vitet 2005-2010, disa me burgim të përjetshëm, kriminelë dhe vrasës të shumëfishtë, sot i ke të liruar.

Pra shteti dhe favorizuar dhe i ka dhënë liri krimit dhe këtë e ka bërë të qëllimshme sepse beson te krimi, te paraja e krimit dhe që beson se kriminelët mund të ndërtojnë Shqipërinë. Pra këta do të ndërtojnë pallatet, restorantet dhe resortet luksoze dhe do të vijnë turistët për të bërë biznes.

Këta njerëz kanë pushtetin ekonomik, kanë pushtetin e parasë, por një shoqëri që i jep pushtet krimit, vrasësve, sadistëve, të droguarve, injorantëve dhe amoralëve, do ta çojë vendin në këtë gjendje dhe viktimat kryesore janë të varfërit. Sa më shumë  krim të ketë në Shqipëri, aq më shumë të varfër do të ketë, aq më shumë gra dhe fëmijë do të jenë viktima”-tha Sejamini.