TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me lajmet për kërcënimin e kreut të SPAK, Altin Dumani dhe masat shtesë mbrojtëse ndaj tij.
Balla tha se nuk ka një kërkesë të tillë nga ana e Dumanit, por theksoi se i ka kërkuar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për të marrë informacione.
“E vërteta është ndryshe dhe dua të garantoj jo vetëm prokurorët e SPAK dhe qytetarët që policia është në detyrë që çdo kush të jetë i sigurt. Në këtë këndvështrim kam komunikuar me Drejtorin e Policisë se Shtetit dhe i kam kërkuar të marrë kontakt edhe me zotin Dumani për të garantuar që policia të bëjë detyrën sikurse kemi përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e çdo qytetari”, tha Balla, duke thënë se në dijeninë e tij “nuk ka ndonjë kërkesë”.
SISTEMI TIMS
Sa i takon skandalit me sistemin TIMS, ku është raportuar për rrjedhje dhe fshirje të të dhënave, ministri Balla tha se nuk është e vërtetë se ka rrjedhje të dhënash. Ai u shpreh se ka qenë vetë ai që ka kërkuar nga Prokuroria që të vlerësojë disa të dhëna.
“E vërteta është krejtësisht ndryshe. Shqipëria është sulmuar nga një sulm kibernetik në 2022 dhe nga ai moment të gjitha institucionet po marrin masa për të rritur digat mbrojtëse nga sulmet kibernetike.
Pra e vërteta është që nuk ekziston asnjë prej shqetësimeve që gjoja ka pasur rrjedhje të dhënave nga sistemi TIMS, e vërteta është që ndërsa një ekip i ri brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ka marrë përsipër një ndryshim tërësor të mënyrës së administrimit në aspektin teknik dhe aspektin e sigurisë, ndodh që ata që janë larguar mund të kenë kritika dhe ankesa.
Dua ta garantoj çdo qytetar se asnjë e dhënë nga TIMS nuk ka rrjedhur.
Lidhur me ata që ju thoni se ka një kallëzim, nuk ka kallëzim, por unë kam kërkuar që të dhënat që ka pasur AMP të vlerësohen nga ana e Prokurorisë”, tha Balla.
PASTRIMI I RADHËVE TË POLICISË
“Procesi i vetëpastrimit të policisë vetëm sa ka filluar. Unë nuk jam këtu që brenda 40 ditëve të them që ja kam arritur qëllimit që ta pastroj plotësisht. Por kam thënë që po punoj çdo ditë, kam marrë garancitë e të gjitha institucioneve që këtë proces vetëpastrimi ta kryejmë në një kohë sa më të shkurtër. Por ky është një proces i vazhdueshëm
Punonjës policie që tradhtojnë nga brenda strukturës aksionet e policisë do të jenë në zhdukje të vazhdueshme
Fijet që lidhin nga brenda policisë së shtetit punonjës me organizata kriminale apo me tradhtimin e aksioneve të policisë do të vazhdojnë të pritën ditë pas dite”, u shpreh Balla.