AKTUALITET, 4 Korrik 2025, 21:30

Katër vatra në katër qytete ende aktive, ja situata nga zjarret në vend

Katër vatra në katër qytete ende aktive, ja situata nga zjarret

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi sot lidhur me situatën e zjarreve në vend.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, nga ora 09:00, datë 04.07.2025, deri në orën 20:30, datë 04.07.2025, janë raportuar 14 vatra zjarri. Nga këto janë shuar 10 vatra zjarri dhe janë aktive 4 vatra zjarri.

AKMC bën të ditur se, pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave:

Në fshatin Burrel, Njësia Administrative Komsi, bashkia Mat;

Në fshatin Hajmel, njësia administrative Hajmel, bashkia Vau-Dejës;

Në fshatin Perondi, njësia administrative Perondi, bashkia Kuçovë;

Në lagjen “Gur i Bardh”, njësia administrative Ura Vajgurore, bashkia Dimal;

Në fshatin Draç, njësia administrative Ishëm, bashkia Durrës;

Në fshatin Draç, njësia administrative Ishëm, bashkia Durrës;

Në fshatin Rrashbull, njësia administrative Rrashbull, bashkia Durrës;

Në fshatin Katund i Vjetër, njësia administrative Rubik, bashkia Mirditë;

Në fshatin Fushë-Prezë, njësia administrative Prezë, bashkia Vorë;

Në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan.

Aktualisht, janë aktive vatrat në qarkun Vlorë, midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq, zjarri i rënë më datë 1 korrik vazhdon të jetë aktiv në malin e Shedenikut mbi fshatin Malçan, në një sipërfaqe me pyll pishe në një distancë shumë të largët dhe të pamundur për tu arritur në këmbë.

Zjarri po monitorohet në distancë nga 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor në fshatin Malçan. Nuk ka rrezik për zona të banuara.

Në qarkun Elbasan sot ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan. Nisur nga situata e krijuar, ku për shkak të punës me intensitet të lartë dhe orë të zgjatura që prej ditës së Martë, ka përmirësim të situatës në landfill.

Aktualisht në terren janë angazhuar: 4 mjete zjarrfikëse (1 mjet i MZSH Elbasan, 2 mjete të FA; 1 mjet i MZSH Tiranë, pritet edhe një mjet i MZSH Berat); 5 mjete të tonazhit të rënd të bashkisë Elbasan; 2 kamionë vetëshkarkues të ushtrisë nga FA; 15 mjete të tonazhit të rend të subjekteve private (trajlerë); 5 fadroma të bashkisë Elbasan; 1 fadromë e subjektit privat; 1 fadromë e kompanisë së inceneratorit; 1 traktor i Forcave të Armatosura; 1 ekskavator i kompanisë së inceneratorit; 1 ekskavator i subjektit privat; 1 pompë thithëse me kapacitet të lartë nga Forcat e Armatosura.

Në qarkun Kukës, në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, njësia administrative Gjinaj, bashkia Has, vazhdon të jetë aktiv brenda perimetrit të tij zjarri i rënë në një sipërfaqe me pyll pishe.

Në terren, janë angazhuar për shuarjen e tij, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 4 forca të Mzsh Has me 1 automjet, 4 forca policore, 2 forca bashkiake dhe 10 forca vullnetare. Forcat kanë punuar dhe kanë izoluar vatrën e zjarrit.

Në qarkun Tiranë, në fshatin Bulticë, njësia administrative Vaqarr, bashkia Tiranë, vazhdon të jetë aktiv me intensitet të ulët zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre e ferra.

Në vendngjarjë ka operuar 1 helikopter Cougar paraditen dhe pasditen e sotme, i cili ka bërë të mundur izolimin e tij. Në zonën e zjarrit po punojnë 20 forca zjarrfikëse, si dhe 20 forca të APR-së së bashkisë Tiranë, të cilat vijojnë me mjete rrethanore dhe ato individuale për shuarjen përfundimtare të vatrave të zjarrit. Sipërfaqe e përshkuar është afërsisht 4 ha. Zjarri është izoluar plotësisht.