AKTUALITET, 2 Maj 2026, 12:57

INSTAT: Rritet transporti detar në 2026, Durrësi dominon me mbi 95% të volumit të mallrave

INSTAT: Rritet transporti detar në 2026, Durrësi dominon me mbi 95%

Transporti detar shënoi rritje të konsiderueshme gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, si në volumin e mallrave ashtu edhe në lëvizjen e anijeve dhe pasagjerëve, duke konfirmuar rolin kyç të porteve në ekonominë e vendit.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në katër portet detare të vendit, Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë (Limjon), janë përpunuar gjithsej rreth 2.28 milionë tonë mallra, me një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Porti i Durrësit vijon të mbetet nyja kryesore e transportit detar në vend, duke përballuar 95,2% të volumit total të mallrave, ose rreth 2.17 milionë tonë.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, ky port ka shënuar një rritje prej 39,8%, duke reflektuar intensifikimin e aktivitetit tregtar dhe përmirësimin e flukseve logjistike.

Ndërkohë, portet e tjera kanë një peshë më të vogël në totalin e transportit.

Porti i Vlorës ka përpunuar 62 mijë tonë mallra, ndërsa ai i Shëngjinit 40 mijë tonë. Porti i Sarandës (Limjon) mbetet me volum modest, me vetëm 7 mijë tone mallra të përpunuara gjatë kësaj periudhe.

Sa i përket strukturës së mallrave, pjesën më të madhe e zënë metalet bazë dhe produktet metalike (17,6%), të ndjekura nga produktet e rafinuara të naftës (14,3%) dhe grupi i qymyrit, naftës bruto dhe gazit natyror (12,7%).

Gjithashtu, një peshë të konsiderueshme zënë edhe produktet minerale jo metalike (10,4%).

Në aspektin e lëvizjes së mjeteve detare, gjatë tremujorit të parë janë regjistruar 265 anije hyrje-dalje në portet shqiptare, nga të cilat 248 janë anije të huaja.

Ky tregues ka shënuar rritje prej 28,6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke reflektuar rritjen e aktivitetit ndërkombëtar.

Edhe transporti i pasagjerëve ka shfaqur rritje, me 154,019 persona që kanë udhëtuar përmes porteve detare.

Porti i Durrësit mban peshën kryesore me 77,5% të totalit të pasagjerëve, i ndjekur nga porti i Sarandës me 14,4% dhe ai i Vlorës me 8,1%.

Në drejtim të tregtisë së jashtme, volumi i mallrave të transportuara me det (eksporte dhe importe) arriti në 1.31 milionë tonë, me një rritje prej 3,6% në raport me tremujorin e parë 2025.

Mallrat e eksportuara me rrugë detare përbëjnë 43,3% të totalit të eksporteve, ndërsa importet përbëjnë 65,1% të totalit të importeve.

INSTAT: Rritet transporti detar në 2026, Durrësi dominon me mbi 95%INSTAT: Rritet transporti detar në 2026, Durrësi dominon me mbi 95%INSTAT: Rritet transporti detar në 2026, Durrësi dominon me mbi 95%INSTAT: Rritet transporti detar në 2026, Durrësi dominon me mbi 95%