AKTUALITET, 10 Dhjetor 2022, 19:50

Inskenoi vdekjen, Italia arreston Davide Pekorelin, do të ekstradohet në Shqipëri

Inskenoi vdekjen, Italia arreston Davide Pekorelin, do të ekstradohet

Davide Pekoreli, 47-vjeçari nga San Giustino i cili inskenoi vdekjen e tij në Shqipëri është arrestuar nga policia italiane.

Ai ishte  në kërkim ndërkombëtar për krime të kryera në Shqipëri. Nga hetimet e Policisë së Shtetit të Perugias kishte rezultuar se në janar 2021, Davide Pekoreli, për t’i shpëtuar borxheve financiare të kontraktuara në Itali, i kishte vënë flakën një veture të marrë me qira në fshatin Rras të Shqipërisë.

Brenda makinës së djegur u gjetën mbetje të eshtrave të njeriut për të simuluar vdekjen e tij.

Arrestimi, sqaron policia italiane është bërë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Prokuroria publike shqiptare në tetorin e kaluar mbylli hetimet për të dyshuarin për mashtrim, përdhosje varresh dhe shkatërrim prone me zjarr, veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Autoriteti gjyqësor shqiptar është i bindur se Pecorelli u ndihmua për organizimin e inskenimit të vdekjes së tij.

Dokumentet i janë dërguar prokurorit të përgjithshëm të Perugia, Sergio Sottani, ndërsa seanca e vlefshmërisë do të mbahet të hënën.