TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Babai i Ibrahim Licit, Mustafa Lici, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ku është marrë në pyetje.
“U mora në pyetje si person në dijeni”, ka thënë ai pasi ka dalë nga SPAK duke mos zbuluar se për çfarë u pyet konkretisht.
Marrja e tij në pyetje ndodh në një kohë kur djali i tij, i cili dyshohet për vrasjen e Endri Mustafës, ndodhet në arrati.
Kujtojmë se Lici, duke folur për mediat turke, ka hedhur poshtë edhe dyshimet e ngritura ndaj tij për vrasjen e Endri Mustafës duke deklaruar se kamerat e sigurisë dhe qelizat telefonike vërtetojnë sipas tij se ka qene ne Tirane ne momentin e vrasjes.
Ibrahim Lici akuzohet gjithashtu si i përfshirë në të paktën tri vrasje në qytetin e Shkodrës, përfshirë edhe vëllezërit Bilali, ngjarje e ndodhur më 30 maj të vitit 2019. Në atë kohë, vrasja u cilësua se erdhi për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale në qytetin verior.
Endri Mustafa u ekzekutua në mënyrë makabre në mes të muajit maj të vitit 2021. Mustafa, baba i tre fëmijëve, u gjet në afërsi të bregut të liqenit të Shkodrës, në një vend i njohur si zona e Livadheve. Ai ishte vrarë me 6 plumba, njëri prej të cilëve në pjesën e gojës, dy të tjerë në kokë dhe 3 në gjoks. Nga këqyrja e trupit dyshohet se fillimisht ai është dhunuar dhe më pas është qëlluar me armë zjarri. Trupi i pajetë u gjet tri ditë pas denoncimit të zhdukjes në mënyrë të mistershme të 31-vjeçarit.
Ndërsa organet e hetimit akuzojnë si autor të vrasjes Ibrahim Licin, bashkëshortja e viktimës tha një vit më parë se me këtë familje kishin marrëdhënie të mira dhe se nuk ishin ata që e kishin kryer vrasjen. Prapa hekurave për ngjarjen është Ergys Malja, 16-vjeç, i cili dyshohet se e çoi viktimën në vendin e ngjarjes.
Nga hetimet e Prokurorisë, rezulton se Malja ka qenë ai që ka çuar Endri Mustafën në zonën e quajtur Livadhe, duke pretenduar se atje kishte mbjellë rreth 150 rrënjë kanabis. Në këtë zonë, ka ndodhur edhe vrasja e tij dhe sipas dëshmisë paraprake, Lici ka ardhur me motor dhe e ka qëlluar për vdekje me armë zjarri. Atë natë, adoleshenti ka shkuar në shtëpi dhe vetëm të nesërmen, ka çuar Policinë në vendin ku ishte fshehur trupi i pajetë.
“Më 15 maj, solla në banesë një qengj të blerë në Postribë pasi ma kërkoi Endri Mustafa, i cili më dha fillimisht 40 mijë lekë të vjetra dhe më pas, rreth orës 19:00 më dha edhe 70 mijë lekë të tjera.
Atë ditë kemi biseduar për punë hashashi, pasi i thashë se kisha mbjellë 150 rrënjë hashash ‘3-muajsh’ në Livadhe me dy shokë dhe doja t’i merrja. Endri më tha se do të më ndihmonte që t’i merrja t’i çonim në shtëpi për t’i tharë.
Pas kësaj bisede, u nisëm për në shtëpi. Rreth orës 22:00, u nismë për në Libvadhe, pasi u takuam te shtëpia e Endrit, u nisëm në këmbë, duke kaluar rrugën e ‘Bypass’-it dhe u kthyem djathtas për të dalë në vendin e quajtur ‘Gropa e ekskavatorit’, ku kisha hashashin.
Aty na doli përpara Ibrahim Lici me armë në dorë, duke qëlluar direkt mbi Endrin. Ai u shtri në tokë, duke i thënë: ‘aman mos më vrit pasha Zotin se kam fëmijë’. Ai e ka qëlluar përsëri edhe në fytyrë, duke i thënë ‘qofsh i xhenetit’. Pas kësaj, Ibrahim Lici është larguar me motor nga vendi i ngjarjes”, ka dëshmuar ai.