AKTUALITET, 5 Korrik 2025, 09:29

I shkaktuan shtetit miliona euro dëm ekonomik/ Dalin para Gjykatës të arrestuarit e “Bankers Petroleum”, akuzohen se shmangën detyrimet tatimore për 20 vite

I shkaktuan shtetit miliona euro dëm ekonomik/ Dalin para Gjykatës

Kanë mbërritur në Gjykatën e Fierit të arrestuarit në kuadër të operacionit hetimor të zhvilluar në zyrat qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier, Hong Ping Xiao dhe ish-administratori Leonidha Çobo.

Ata do të dalin sot pranë trupit gjykues ku do të japin dëshminë e tyre dhe do të njihen me akuzat që rëndojnë mbi ta.

 Për 20 vite me radhë, kompania më e madhe e nxjerrjes së naftës në Shqipëri, “Bankers Petroleum” ka shmangur tatimet duke i shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit.

“Bankers Petroleum”, gjatë periudhës 2004–2024 ka kryer shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 mld lekë, por pavarësisht kësaj shume, kompania ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 mld. Sipas organit të akuzës, përmes kësaj skeme, kompania ka shmangur pagimin e tatim-fitimit për 20 vite me radhë dhe për më tepër ka përfituar rimbursime fiktive të TVSH-së, duke shkaktuar dëm financiar në miliona euro në buxhetin e shtetit.

"Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro", njoftoi Prokuroria e Fierit. 

Me vendim të Gjykatës së Fierit, janë lëshuar 14 masa sigurie, ku 9 prej tyre janë ekzekutuar dhe 5 përfaqësuese kinezë të kompanisë janë shpallur në kërkim. Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.

Organi i akuzës thotë se kontrolle nuk janë ushtruar vetëm te kompania, së cilës i janë sekuestruar edhe serverat, por edhe nëpër banesa private ku janë sekuestruar sende të nevojshme për hetimin. Aksioni, thotë Prokuroria e Fierit, u ndërmor në këtë fazë të hetimit, pasi kishte rrezik për prishjen e provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes. Gjatë aksionit në kompani, oficerët të shoqëruar nga njësi të zyrës tatimore janë përballur me rezistencë. Dyert e selisë qendrore qëndronin të mbyllura, dhe është dashur përdorimi i forcës për të hyrë në mjediset e brendshme.

Skema e mashtrimit

Hetimi që çoi në këtë operacion u zhvillua për një periudhë 6-mujore, pas referimit të materialeve nga Drejtoria e Hetimit Tatimor. Sipas Prokurorisë së Fierit, hetimi është kryer me metoda proaktive dhe në bashkëpunim të ngushtë me strukturat tatimore dhe policore.

Sipas Prokurorisë së Fierit, “Bankers Petroleum” dyshohet se gjatë gjithë periudhës 20-vjeçare të aktivitetit të saj ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet, me qëllim që në bilancet vjetore të rezultonte me humbje. Kjo skemë i ka mundësuar kompanisë të shmangë pagesën e tatim-fitimit, ndërkohë që ka përfituar rimbursime të pajustifikuara të TVSH-së, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit miliona lekë dëm.

Mashtrimi është realizuar, sipas hetimeve, me ndihmën e individëve dhe shoqërive kontraktuese, përmes dokumenteve të falsifikuara dhe veprimeve financiare të dyshimta, të kryera me operatorë dhe individë të ndryshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në një deklaratë publike kompania tha se “që prej vitit 2004, operacionet tona kanë sjellë vlera të prekshme: kemi investuar 4.5 miliardë dollarë në ekonominë shqiptare; kemi siguruar 83% të prodhimit kombëtar të naftës bruto”, ndërkohë shtoi se “kompania vazhdon të ketë të pashlyera pranë autoriteteve tatimore, rimbursime të TVSH-së (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) në vlerën mbi 36 milionë USD”.

Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndyshme mashtrimi për TVSH-në, pastrim parash, etj, ku janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera.

Prokuroria, policia dhe tatimet zbarkuan prej mëngjesit të së mërkurës në zyrat qendrore të “Bankers Petroleum”. Fillimisht hasën në rezistencë dhe u desh përdorimi i forcës për të hyrë në ambientet e brendshme, ku qëndruan për disa orë, duke kontrolluar në detaje për gjetjen e provave shtesë për hetimin, sidomos në serverat e kompanisë. “Bankers Petroleum”, ka qenë shpesh në përplasje me autoritetet fiskale për mos shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit shqiptar. Me dhjetëra shoqëri shqiptare janë ankuar se për një kohë të gjatë nuk janë paguar për shërbimet që i kanë ofruar kësaj kompanie. Po ashtu ka qenë në mënyrë të përsëritur në qendër të kritikave për mosrespektimin e parametrave mjedisor, apo për përdorimin e teknikave jo të përshtatshme në shfrytëzimin e nëntokës shqiptare.