AKTUALITET, 24 Nëntor 2025, 16:33

“Abuzimi më i madh me vlerat evropiane”, deputeti Bido reagon ashpër për shpalljen “non grata” të Artan Hoxhës nga Greqia

“Abuzimi më i madh me vlerat evropiane”, deputeti Bido reagon
Artan Hoxha dhe Ardit Bido

Autoritetet greke ndaluan dje për mbi një orë në komisariat gazetarin Artan Hoxha dhe nuk e lejuan të vijojë rrugën për në territorin grek, duke e shpallur të padëshiruar nga Greqia. Pas gazetarit tjetër, Marin Mema, ky është rasti i dytë në pak vite që gazetarët shqiptarë shpallen “non grata” pse kanë raportuar për tema si çështja çame, e djathta ekstreme në Greqi, apo për përfshirjen e eurodeputetit Beleri në masakrën e Peshkëpisë në vitin 1994.

Ardit Bido, deputet i PS-së në qarkun e Vlorës, e dënoi ashpër vendimin e autoriteteve greke, duke u shprehur se është e papranueshme që në shekullin e 21-të, autoritetet e një shteti evropian të vijojnë të ndikohen nga grahmat e fundit të nacionalizmit dhe se shpallja “non grata” e gazetarëve pse kanë trajtuar tema të të drejtave kombëtare, përbën abuzimin më të madh me vlerat evropiane.

Reagimi

Ndalimi i Artan Hoxhës në kufirin shqiptaro-grek përbën rastin e dytë në pak vite që gazetarët shqiptarë ndalohen në kufi për shkak të raportimit dhe të bindjeve të tyre. Është e papranueshme që në shekullin e 21-të, autoritetet e një shteti evropian të vijojnë të ndikohen nga grahmat e fundit të nacionalizmit.

Kërkimi i të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, përballja me nacionalizmin politik të fenomeneve Agimi i Artë, Beleri etj., si dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, nuk janë opsion, por detyrim i çdo gazetari dhe i çdo shqiptari. Ndaj, sulmi ndaj tyre, përmes shpalljes “non grata” përbën abuzimin më të madh me vlerat evropiane.