AKTUALITET, 24 Nëntor 2025, 15:08

Spiropali takim me homologun kroat: Ramë dakord për përgatitjen e mbledhjes së parë ndërqeveritare! Radman: Mbështesim Shqipërinë drejt BE

Spiropali takim me homologun kroat: Ramë dakord për përgatitjen e

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, dhe homologu i saj kroat, Gordan Grlić Radman, dhanë sot një deklaratë të përbashkët për shtyp, pas takimit zyrtar ku u diskutuan prioritetet strategjike të marrëdhënieve dypalëshe.

Spiropali u shpreh se bisedimet ishin “thelbësore, dinamike dhe të orientuara drejt së ardhmes”.

Ajo bëri me dije se ndër pikat kryesore të dakordësuara gjatë takimit ishte mbajtja e Mbledhjes së parë Ndërqeveritare (G2G) mes Shqipërisë dhe Kroacisë, mundësisht në vitin 2026, e cila do të shënojë një moment të ri institucional në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Spiropali theksoi se palët ranë dakord të përshpejtojnë projektet e konektivitetit rajonal, përfshirë Autostradën Adriatiko–Joniane (Korridori Blu) dhe shqyrtimin, e një plani të ardhshëm, të potencialit të Gazsjellësit Adriatiko–Jonian (IAP).

“Po kështu, ramë dakord për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit detar dhe sigurisë në Adriatik, një prioritet i natyrshëm, për dy fqinj që ndajnë të njëjtin det, të njëjtat sfida dhe të njëjtin horizont europian”, tha ajo.

Nga ana e tij, ministri kroat i Jashtëm, Gordan Grlić Radman, vlerësoi progresin e Shqipërisë, duke deklaruar se ka bërë një përparim të madh.

“Përparim i madh është bërë. Suksesi i Shqipërisë tregon se qasja e Kroacisë për anëtarësim përmes meritës dhe përmbushjes së kritereve është e drejtë dhe Shqipëria është një shembull i kësaj. Kroacia mbështet ambicien e Shqipërisë për të qenë pjesë e BE”, tha ai.

Ministrja Elisa Spiropali: Jam e lumtur të ritheksoj se bisedimet tona sot, ishin thelbësore, dinamike dhe të orientuara drejt së ardhmes.

Bashkarisht u dakorduam të intensifikojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat strategjike, përfshirë:

– Përgatitjen e Mbledhjes së parë Ndërqeveritare (G2G), mundësisht në vitin 2026, një moment historik që e ngre bashkëpunimin tonë në një dimension të ri institucional.
– Thellimin e bashkëpunimit të shkëlqyer në fushën e integrimit europian, ku përvoja e Kroacisë mbetet e pazëvendësueshme.
– Bashkëpunim më të ngushtë në sektorin e energjisë, ku Shqipëria dhe Kroacia ndajnë të njëjtat objektiva strategjike: si diversifikim, ndërlidhje dhe siguri afatgjatë.

U dakorduam të përshpejtojmë bashkëpunimin tonë për prioritetet kryesore të konektivitetit, përfshirë Autostradën Adriatiko–Joniane (Korridori Blu) dhe shqyrtimin, e një plani të ardhshëm, të potencialit të Gazsjellësit Adriatiko–Jonian (IAP). Po kështu, ramë dakord për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit detar dhe sigurisë në Adriatik – një prioritet i natyrshëm, për dy fqinj që ndajnë të njëjtin det, të njëjtat sfida dhe të njëjtin horizont europian.

U shprehëm, gjithashtu, të hapur për të përfshirë gradualisht edhe partnerë të tjerë me të njëjtat qëndrime, dhe do të mirëprisnim pjesëmarrjen e Bullgarisë në fusha ku përputhen interesat strategjike, veçanërisht në lidhje me ndërlidhshmërinë Adriatiko–Joniane, qëndrueshmërinë dhe sigurinë rajonale.

Objektivi ynë është i qartë: ta bëjmë rajonin tonë më të ndërlidhur, më të qëndrueshëm dhe më të përafruar me arkitekturën europiane dhe euro atlantike.

Në këtë kontekst, mirëpritëm rritjen e bashkëpunimit të mbrojtjes mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, siç reflektohet në formatin trilateral të krijuar këtë vit dhe të formalizuar përmes “Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunimin në fushën e Mbrojtjes”.

E konsiderojmë këtë bashkëpunim një platformë të vlefshme për rritjen e ndërveprueshmërisë, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse rajonale dhe mbështetjen e rrugës euroatlantike të Kosovës.

Ministri kroat Gordan Grlić Radman:

Përparim i madh është bërë. Suksesi i Shqipërisë tregon se qasja e Kroacisë për anëtarësim përmes meritës dhe përmbushjes së kritereve është e drejtë dhe Shqipëria është një shembull i kësaj. Kroacia mbështet ambicien e Shqipërisë për të qenë pjesë e BE.