AKTUALITET, 1 Mars 2025, 19:58

Dyshohet se i kërkoi 4 mijë euro një gruaje me premtimin se do të ndërhynte te gjyqtari, detaje nga hetimet për avokatin, SPAK kontrolle dhe në banesa të tjera

Dyshohet se i kërkoi 4 mijë euro një gruaje me premtimin se do

Detaje të reja mësohen nga hetimet e SPAK për avokatin Bardh Koçi, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme vendosi arrest shtëpie.

Pas caktimit te masës së sigurisë janë ushtruar kontrolle në dy objekte të tjera.

Janë kontrolluar banesa e një oficeri të policisë gjyqësore, si dhe shtëpia e zyra e një eksperti.

Koçit iu komunikua këtë të shtunë masa e sigurisë “arrest shtëpie” për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Prokuroria e Posaçme sqaroi se Bardhi Koçi me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte i punësuar me detyrë Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) dyshohet se ka kërkuar nga shtetasja P.M. shumën prej 4000 (katër mijë) eurosh dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.

Ndërsa ndaj gruas P.M, SPAK ka caktuar masën e sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.