AKTUALITET, 6 Korrik 2024, 15:49

Gruaja konfliktohej vazhdimisht me ish-burrin/ I riu u qëllua tri herë me thikë nga 39-vjeçari, detaje nga vrasja në Fier

Gruaja konfliktohej vazhdimisht me ish-burrin/ I riu u qëllua tri herë

Një ditë pas krimit të rëndë që tronditi qytetin e Fierit, detaje të reja dalin në dritë. 23-vjeçari Xhimi Bakaj u bë viktimë e xhelozisë së ish-burrit me të cilin kishte zgjedhur të jetonte nëna e tre fëmijëve të tij, me të cilën ishte në proces divorci. Në sherr e sipër, i riu është qëlluar tre herë me thikë nga 39-vjeçari Xhuliano Miho. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Ramiz Aranitasi” të qytetit të Fierit. Ata kanë debatuar e janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, deri në momentin kur 39-vjeçari, ka marrë thikën dhe e ka qëlluar tre herë në pjesë të ndryshme të trupit Xhimi Bakaj.

I riu u dërgua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra. Bashkëshortja e Xhuliano Mihos, autorit të krimit të rëndë ishte larguar nga shtëpia e burrit 39-vjeçar dhe bashkëjetonte me 23-vjeçarin Xhimi Bakaj, së bashku me tre fëmijët. Gruaja ishte në proces divorci me Mihon, por në kushtet kur padia nuk kishte kaluar ende në fazë shqyrtimi nga Gjykata e Fierit, palët kishin pasur disa herë konflikte, aq më tepër kur në mes ishin dhe tre fëmijët.

Kur është shoqëruar në Policinë e Fierit, autori Xhuliano Miho është shprehur se thika me të cilën kreu vrasjen nuk ishte e tija, por e viktimës. Sipas tij, 23-vjeçari e kishte qëlluar i pari me grushte. Për t’u vetëmbrojtur, ai ka deklaruar se ka marrë thikën dhe ka plagosur Xhimi Bakaj.