AKTUALITET, 24 Qershor 2026, 10:45

Gjyqi/ Avokati i Metës kërkon papërdorshmërinë e provave të SPAK: CEZ-DIA u përdor për ta goditur

Gjyqi/ Avokati i Metës kërkon papërdorshmërinë e

Në GJKKO po mbahet seanca e radhës për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi. Të dy ndodhen në seancë, ndërsa avokati i Kryemadhit, Redi Llanaj nuk është lejuar të futet në gjyq pasi nuk pranon që t’i kontrollojnë çantën.

Në seancë, avokati i Metës, Kujtim Cakrani po kundërshton akuzat e ngritura nga SPAK për çështjen CEZ-DIA dhe tha se ish-presidenti është i pafajshëm. 

“Me atë çfarë ka ndodhur me CEZ-DIA, kjo çështje ka nisur në vitin 2017 me një kallëzim nga Romeo Karaj. Kallëzimi është bërë menjëherë pasi ka përfunduar procedimi ndaj Kastriot Ismailajt, kur ai u dënua me vendim të formës së prerë dhe mbaroi edhe procedura në arbitrazh. Karaj ka qenë i përfshirë në këto procese. Kallëzimi fillimisht ka qenë për Sali Berishën dhe gjithë qeverinë Berisha, e më pas ka kaluar te Meta.

Kundërshtarët politikë gjejnë njerëz si Karaj dhe Vojsava Ismailaj, të cilët, për hallet e tyre familjare apo mendore, japin intervista jashtë Shqipërisë, të cilat në këtë rast janë marrë në konsideratë. CEZ-DIA ishte një koncesion shtetëror. DIA është një kompani amerikane që operon në të gjithë botën dhe drejtohej nga Rebeka. Ajo nuk ka pasur nevojë as për ndihmën e Berishës dhe as të Metës. I mjaftonte Dritan Prifti. Ky i fundit vetëm incizonte dhe, kur miza kalonte te ministria, ai merrte gjobën. Kështu ka qenë, jo se dua ta anatemoj.

Në procesin ndaj Ismailajt dhe të tjerëve, asnjëherë nuk është përmendur Meta. Edhe ata që kanë dëshmuar nuk e kanë përmendur Metën asnjëherë. Kur është mbyllur marrëveshja nga Gjiknuri, nuk është përmendur Meta. CEZ-DIA është përdorur për të goditur Metën. Në 15 faqe diskutohet nga prokuroria kjo që paraqitet si çështja e shekullit. Përmendet ambasadori Plepshi. Nuk ka asnjë të dhënë që ai ka qenë edhe ambasador, edhe këshilltar tregtar. Ambasadat kanë atashe tregtarë e me radhë. Nuk mund të relatohen gjëra që nuk rezultojnë në dosje apo në akte zyrtare.

Edhe pse mund të ketë udhëtuar në një avion me Ismailajn, Meta është kthyer me urgjencë më 2 dhjetor për shkak të përmbytjeve në Shkodër. Atëherë ka pasur vetëm një sportel VIP ku hynin politikanët apo biznesmenët. Fakti që kanë hyrë në të njëjtën ditë nuk e kriminalizon Metën. Të gjitha gazetat opozitare, apo njerëz dhe media të paguara, bënin shkrime që shkonin deri në Vjenë kundër zotit Meta. Por kjo nuk mund të materializohet në akuzë. Pse nuk ka bërë SPAK analizë financiare të Metës? Çfarë ka ndodhur në jetën e tij? Akuza për CEZ-DIA nuk qëndron, sepse në vitin 2009 Meta nuk ka qenë funksionar publik, por deputet në opozitë.

Nuk ka lidhje një mesazh ku thuhet: ‘Më duhen 200 deri nesër’, kur ky mesazh nuk gjendet as në dosje. Është cenuar rëndë Kushtetuta, sepse nuk ka vendim për përgjim. Kur është vendosur nën përgjim një deputet në atë kohë? Ku është subjekti i posaçëm që ka kryer korrupsionin pasiv në vitin 2009? Duhet të kesh qenë funksionar publik. Meta nuk ka qenë funksionar, por vetëm deputet në opozitë. Nëse kjo është marrë nga prokuroria dhe është materializuar në akuzë, atëherë prokuroria ka përdorur një mesazh të përgjuar ndaj një deputeti pa vendim gjykate. Mendoj se kjo është shkelje nga ana e akuzës. Episodi i CEZ-DIA është i sforcuar, sepse duhej ndërtuar një akuzë. Ne mendojmë se jemi të pafajshëm për CEZ-DIA. Kur zhvillohej procedura e arbitrazhit në Vjenë, mediat shkruanin se kryeministër kishte qenë Meta dhe këto insinuata janë kthyer në akuzë nga SPAK", tha Cakrani. 

Avokati kërkoi papërdorshmërinë e akteve dhe fashikujve për episodin e parë në dosje që është CEZ DIA.

“Intervistat e gazetarëve me Ervis Metajn dhe Vojsava Ismailajn duhet të deklarohen të papërdorshme dhe të përjashtohen nga gjykimi. Po ashtu, të përjashtohen nga gjykimi provat lidhur me CEZ-DIA:

Mesazhi SMS i vitit 2009;

Video-përgjimi i Dritan Priftit, sepse thëniet e tij nuk mund të provohen pasi ai ka ndërruar jetë. Dritan Prifti merrej me incizime, fuste njerëzit në zyrë dhe i regjistronte. Nuk duhet ta përmendim se sot është i ndjerë, por kështu është.

Materialet nga arbitrazhi janë absolutisht të ndaluara të përdoren si prova në një proces penal në vendin tonë, kur ato janë marrë sipas procedurave të atij arbitrazhi.

Edhe nëse konsiderohen intervistat, ato nuk përbëjnë fakt penal. Intervistuesi orienton bisedën. Nuk janë të besueshme.

Sa i përket mesazhit ‘Deri nesër më duhen 200’, aty nuk ka asgjë që të provojë pretendimin e prokurorisë se bëhet fjalë për 200 mijë euro. Ndërkohë Meta ishte deputet dhe kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të imunitetit parlamentar.

Nuk ka të dhëna se si është ruajtur kjo provë për 15 vjet. Të përjashtohet nga fashikulli dhe të deklarohet e papërdorshme", tha Cakrani.