TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qindra qytetarë janë mbledhur sot në Tiranë në ditën e 24-t të protestës së tyre, duke vijuar tubimin kundër projektit të Zvërnecit dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta nisi në sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët u mblodhën me pankarta në duar dhe flamuj kuqezi, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë. Gjatë gjithë lëvizjes së tyre, protestuesit kanë bërë thirrje për ndryshim dhe kanë përsëritur kërkesat e tyre politike.
Para godinës së Kryeministrisë, qytetarët nisën fjalimet, ndërsa pas përfundimit të tyre pritet që protesta të vijojë me një marshim në rrugët e Tiranës.

Në duart e protestuesve janë parë një sërë pankartash me mesazhe kundër qeverisë. Shumë prej tyre shkruanin “Dorëheqje”, ndërsa disa të tjera kanë përcjellë mesazhe më specifike.

Mes tyre kishte edhe pankarta me referenca ndërkombëtare, ku krahasohej dorëheqja e kryeministrit britanik Keir Starmer me situatën politike në Shqipëri. Në njërën prej tyre shkruhej se një “burrë shteti” jep dorëheqjen, ndërsa protestuesit shprehnin pakënaqësi ndaj kryeministrit Rama.
Pankarta të tjera përmbanin thirrje si “SPAK arresto Ballukun”, mesazhe kundër qeverisë dhe kritika për zhvillimet politike në vend.


Në disa pankarta ishin përdorur edhe mesazhe në anglisht, mes tyre “Theft named as investment”, ndërsa një tjetër përcillte mesazhin: “Na keni ndarë nga prindërit, por nga atdheu nuk na shkulni dot”.


Një tjetër pankartë drejtohej ndaj projektit të Zvërnecit, me thirrje për anulimin e tij.
Pankartat kanë qenë një nga elementët kryesorë të protestës, duke reflektuar kërkesat, pakënaqësitë dhe mesazhet politike të qytetarëve të mbledhur në Tiranë.

Në protestë morën pjesë qytetarë nga zona të ndryshme të vendit, por edhe shqiptarë të ardhur nga jashtë. Një prej pjesëmarrësve deklaroi se kishte ardhur posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’iu bashkuar tubimit, duke kërkuar ndryshim politik dhe zgjedhje të lira.
Ndërkohë, organizatorët kanë bërë të ditur se pritet edhe pjesëmarrja e diasporës në mbështetje të protestës. Sipas tyre, protesta ka marrë jehonë edhe jashtë vendit, me tubime të zhvilluara nga shqiptarë në Londër, Bruksel, Holandë, Gjenevë, Milano, Firence, Francë dhe Gjermani.
Në listën e kërkesave të protestuesve janë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie teknike, ndryshime kushtetuese dhe ligjore, rregulla të reja për financimin e partive politike dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit.

Gjatë fjalimeve para protestuesve, qytetarë të ndryshëm bënë thirrje për ndryshime të thella politike, duke deklaruar se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim.

Ndërkohë, një prej anëtarëve të grupit organizator, Edison Lika, deklaroi se kërkesat e protestës do të lexohen çdo ditë para Kryeministrisë.

Protestuesit kanë paralajmëruar se do të vijojnë tubimet dhe se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.