AKTUALITET, 24 Qershor 2026, 10:25

Nisma/ Infrastruktura nëntokësore, Rama: Do të pastrojmë ‘fijet e merimangave’! Rilindja Urbane 2.0, ndërhyrje gjithëpërfshirëse

Nisma/ Infrastruktura nëntokësore, Rama: Do të pastrojmë

Kryeministri Edi Rama është i pranishëm në eventin për infrastrukturën nëntokësore në zonat urbane me në fokus sistemimi i kabllove ajrore dhe strukturave të improvizuara që dëmtojnë pamjen e qyteteve, kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore dhe roli i bashkive në këtë proces.

“Është tanimë plotësisht e mundur që të pastrojmë qytetet tona nga fijet plastike të merimangave dhe siç e tregon inventari, pjesa dërrmuese e këtyre kabllove janë pa funksion, por qëndrojnë aty tërësisht si shenjë e harresës dhe mungesës së vëmendjes”, tha kryeministri.

Në 10 ditët e para të korrikut do të prezantohet edhe programi Rilindja Urbane 2.0 që adreson një sërë problematikash, tha Rama.

“Programi do të adresojë nevojën për të bërë një ndërhyrje gjithëpërfshirëse te ujësjellësat. Së dyti, do të adresojmë nevojën për të çuar në një nivel tjetër transportin urban dhe interurban. Pika më e dobët është transporti i sezonit të pikut kur bëhet shumë e vështirë për turistët dhe vizitorët të lëvizin me mjete të transportit publik.

Është e rëndësishme të hyjmë në një fazë kur transporti të jetë plotësisht i gjelbër, me autobusë elektrikë dhe së dyti, për të ndërtuar një sistem përdorimi dhe administrimi të këtyre mjeteve nga bashkitë.

Do ta shtrijmë tanimë në të gjithë territorin, do të kemi një park logjistik që do u shërbejë bashkive për të gjitha punimet e pastrimeve, mirëmbajtjes etj që lidhen me situata post-emergjencë. Do të mbështesim një program për të krijuar kapacitete më domethënëse për parkimet”, tha kryeministri.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi tha se synohet që zonat e populluara të mbulohen nga rrjeti 5G.

“Të gjitha zonat e populluara të jenë të mbuluara nga rrjete me shpejtësi të lartë, performancë 5G. Objektivi është ndërtimi i një shoqërie gigabit ku qytetarët dhe bizneset të kenë akses në shpejtësi të lartë”, tha Karakaçi.

Rama: Kjo që bëhet sot publike si një nismë e re dhe e koordinuar nga ministri Demo, Karakaçi, AKEP, është një nismë që vjen në kohën e duhur dhe kërkon një organizim dhe një disiplinë të fortë për t’u kryer me sukses për të gjitha arsyet që tha ministri i Pushtetit Vendor. Është tanimë e mundur që të pastrojmë qytetet tona nga gjithë ato fije plastike, merimangash të një kohe e cila ka pasur pasojat e veta në vazhdën e një zhvillimi që po ashtu ishte i domosdoshëm, siç e tregon dhe inventari, pjesa dërrmuese e kabllove janë pa funksion, qëndrojnë si një shenjë harrese dhe mungesës së vëmendjes.

Dua të ndaj një tjetër nismë të shtrirë në një sërë drejtimesh strategjike për komunitetet e vendit. Do ta lançojmë në një konferencë të pushtetit vendor në 10-ditëshin e parë të korrikut. Bëhet fjalë për një program të Rilindjes 2.0, nën kujdesin e ministrit Demo. Është një program që synon të adresojë disa elementë që ka ardhur koha të marrin drejtim shtetëror, të mbledhë pjesët e mbetura të painvestuara. Janë disa pjesë të cilat, ndryshe nga çfarë hidhet dhe përdridhet në diskursin e përditshëm negativ, janë më pak se pjesët e investuara të ujësjellës-kanalizimeve.

Programi do të adresojë nevojën për një ndërhyrje gjithëpërfshirëse dhe do të japë përgjigje ndaj nevojave të paadresuara. Do të adresojmë nevojën për të çuar në nivel tjetër urban dhe interurban, duke nisur nga transporti urban. Hallka më e dobët e sistemit tonë të industrisë së turizmit është transporti i sezonit të pikut, ku bëhet e vështirë për turistët që të lëvizin me mjete të vëna në dispozicion nga sektori publik.

Qëllimi është të hyjmë në një fazë që transporti të jetë i gjelbër, flasim për autobusë elektrikë. Së dyti, për të ndërtuar një sistem të përdorimit dhe administrimit të mjeteve nën administrimin e bashkive. Do të jetë qeveria së bashku me bashkinë. Sistemin e kemi pilotuar me sukses në Dibër. Do ta shtrijmë tani në gjithë territorin, do të kemi një park logjistik.