TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-kryeministri Sali Berisha është takuar sot me ambasadorin e Hungarisë në Shqipëri, Lorent Balla, ku e ka informuar mbi zhvillimet e fundit politike.
Berisha thotë se e ka e informuar Ambasadorin mbi atë që ai e quan “farsën e procesit gjyqësor të pashembullt në historinë e Shqipërisë, me të cilin Edi Rama kërkon t’u imponojë qytetarëve në mënyrën më antidemokratike se nga kush duhet të përfaqësohen si opozitë”.
Sipas Berishës, ky proces është për shkak të presionit që Rama ka ushtruar mbi pavarësinë e gjyqësorit.
Por lideri i PD u shpreh i vendosur se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit.
“Pavarësisht këtij konteksti i cili është në vijim të një serie aksionesh që kanë si qëllim asgjësimin e pluralizmit politik në vend, ashtu siç u dëshmua nga skandali McGonigal, e sigurova Ambasadorin mbi pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në procesin zgjedhor të 14 majit, duke i garantuar se PD mbetet e angazhuar ndaj parimeve më të mira të garave elektorale, në respekt të votës së lirë dhe demokracisë qytetare”, shkruan ndër të tjera Berisha.
Postimi i plotë i Berishës
Takim me Ambasadorin e Hungarisë në Shqipëri, Zotin Lorant Balla.
Sot pata kënaqësinë e veçantë të prisja në një takim pranë selisë së Partisë Demokratike, Ambasadorin e Hungarisë, Sh.T.Z. Lorant Balla.
Me Ambasadorin diskutuam gjerësisht mbi aktualitetin e zhvillimeve politike në vend.
Në veçanti, e informova Ambasadorin mbi farsën e procesit gjyqësor të pashembullt në historinë e Shqipërisë, me të cilin Edi Rama kërkon t’u imponojë qytetarëve në mënyrën më antidemokratike se nga kush duhet të përfaqësohen si opozitë. Një proces ky unik në histori gjithashtu për shkak të presionit të papranueshëm të ushtruar mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri nga kanale ekstra-politike dhe diplomatike, tërësisht në shkelje të parimeve më themelore të shtetit të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Pavarësisht këtij konteksti i cili është në vijim të një serie aksionesh që kanë si qëllim asgjësimin e pluralizmit politik në vend, ashtu siç u dëshmua nga skandali McGonigal, e sigurova Ambasadorin mbi pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në procesin zgjedhor të 14 majit, duke i garantuar se PD mbetet e angazhuar ndaj parimeve më të mira të garave elektorale, në respekt të votës së lirë dhe demokracisë qytetare.
Gjeta rastin ta falënderoj gjithashtu në emër të Partisë Demokratike, për të gjithë miqësinë e vyer historike që karakterizon marrëdhënien shqiptaro-hungareze, por dhe për rolin e veçantë të mikut dhe Kryeministrit Orban, në intensifikimin dhe nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Ai ka qenë dhe mbetet një mbështetës i pakursyer i Partisë Demokratike dhe kauzave tona konservatore, në promovimin e vlerave më të drejta kombëtare dhe të familjes. Takimi ishte i hapur. sb