AKTUALITET, 25 Nëntor 2025, 15:03

Gjykata Europiane vendos: I gjithë unioni duhet të njohë martesat mes të njëjtës gjini

Gjykata Europiane vendos: I gjithë unioni duhet të njohë martesat

Gjykata më e lartë e BE-së ka vendosur se martesat mes të njëjtës gjini duhet të njihen në të gjithë bllokun dhe ka qortuar Poloninë për refuzimin e njohjes së një martese mes dy qytetarëve të saj, që ishte kryer në Gjermani.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë tha të martën se Polonia kishte gabuar që nuk e kishte njohur martesën e çiftit kur ata u rikthyen në Poloni, me arsyetimin se ligji polak nuk lejon martesat midis personave të së njëjtës gjini.

“Kjo cenon jo vetëm lirinë e lëvizjes dhe të qëndrimit, por edhe të drejtën themelore për respektimin e jetës private dhe familjare,” tha Gjykata e Drejtësisë së BE-së.

Në Poloninë kryesisht katolike, lufta për barazi për personat LGBT+ për vite me radhë është përshkruar nga ata në pushtet si një ideologji e rrezikshme e huaj. Megjithatë, qeveria aktuale po punon për një projektligj që do të rregullojë partneritetet civile, përfshirë bashkësitë mes personave të së njëjtës gjini. 

Ky vendim është detyrues për të gjitha vendet anëtare të BE-së edhe në rastet kur ato nuk i lejojnë brenda vendeve të tyre martesat mes personave të së njëjtës gjini. Kur këto martesa kryhen në një vend të unionit, ato duhet të njihen nga të gjitha vendet. 

Gjykata Evropiane e Drejtësisë mori vendimin me kërkesë të një gjykate polake që po trajtonte çështjen e dy burrave që kishin kundërshtuar refuzimin për të transkriptuar certifikatën e tyre të martesës gjermane në regjistrin polak.

Çifti, i cili u martua në Berlin në vitin 2018, është identifikuar vetëm me inicialet e tyre në dosje.